Demo: Kamera trupi për policinë në Tiranë, teknologji e re për identifikimin e protestuesve të dhunshëm

Demo: Kamera trupi për policinë në Tiranë, teknologji e re për identifikimin e protestuesve të dhunshëm

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka paralajmëruar fuqizimin e Policisë së Shtetit përmes teknologjisë së re, duke e cilësuar këtë si të domosdoshme pas situatave të krijuara gjatë protestave të fundit.

Në një konferencë për shtyp së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Demo bëri të ditur se një nga masat e para do të jetë vendosja e kamerave të trupit për efektivët e policisë në Tiranë. Sipas tij, teknologjia do të shërbejë si për identifikimin dhe dokumentimin e personave që ushtrojnë dhunë, ashtu edhe për garantimin e ligjshmërisë së veprimeve policore.

“Nga këto protesta kemi konstatuar që nevoja për fuqizimin teknologjike të Policisë së Shtetit tashmë është imperative, do punojmë që të ecim me hapa të shpejtë për përdorimin e teknologjisë në punën që ushtron Policia e Shtetit.

Elementi i parë do jetë shumë i rëndësishëm që janë kamerat e trupit që shumë shpejt do ti vendosim në funskion duke filluar me policinë në Bashkinë e Tiranës. D kemi përdorimin e këtyre imazheve  për të faktuar edhe dhunën apo veprat jo të ligjshme që merren nga individë të caktuar dhe për të garantuar që veprimet e policisë janë brenda kornizës ligjore. Po shofim mundësinë për të fuqizuar edhe komunikimin brenda strukturave të policisë me radiot e reja por edhe mjetet e reja te teknologjisë digjitale sa i përket punës investigative që ndërmerr policia.

Do përmendja një fakt të teknologjisë që jemi duke përodrur për të ndihmuar policinë në evidentimin e elementëve të dhunshëm gjatë protestës dhe që janë të maskuar.

Materialet i janë referuar Prokurorisë ku duken qartazi që persona të maskuar kanë ushtruar dhunë ndaj policisë dhe institucioneve. Falë teknologjisë kemi evidentuar identitetin e tyre dhe tashmë do ndiqen penalisht”, tha ai.

Ministri i Brendshëm bëri gjithashtu thirrje për një reagim të unifikuar të institucioneve të drejtësisë ndaj personave përgjegjës për aktet e dhunës gjatë protestave.

“Iu bëj thirrje Gjykatës dhe Prokurisë së Tiranës për një përgjigjie uniforme në mbrojtje të shtetit, pronës, sigurisë kolektive ku ata elemnte të cilët realisht kanë kryer dhunë mbi kryeqytetin e shqiptrëve të kenë një standard sa i përket përgjegjësisë ligjore që duhet të përballen. Roli i policisë nuk duhet të jetë vetëm për të garantuar rend dhe siguri por dhe për të parandaluar edhe situata të caktuara si një masë e rëndësishme që mund të ndihmohet edhe nga teknologjia.

Policia është aty për të ndihmuar e mbështetur qytetarët, për të garantuar tubimet e ligjshme paqësore, është aty për mos t’u përballur në mënyrë të dhunshme me askënd, por patjetër që do reagojë në momentin kur ka dhunë që drejtohet kundrejt institucioneve apo individëve”, tha ministri Demo.

The post Demo: Kamera trupi për policinë në Tiranë, teknologji e re për identifikimin e protestuesve të dhunshëm appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.