Dita e katërt e protestës, studentët nisin marshimin (LIVE)

Rrugët e kryeqytetit janë kthyer sërish në pikëtakimin e studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve, të cilët këtë të premte kanë nisur marshimin e protestës, duke u grumbulluar fillimisht në qendër të Tiranës, dhe duke vijuar më pas në drejtim të Ministrisë së Arsimit.
Protesta ka hyrë në ditën e saj të katërt, ndërsa ende nuk dihet se cili do të jetë itinerari që do të ndjekin protestuesit.
Mes thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, turma ka dalë sërish në rrugë, duke vijuar kundërshtimin që prej tri ditësh ka mbajtur të tensionuar kryeqytetin dhe ka sjellë grumbullime edhe në qytete të tjera të vendit.
Tri ditët e para të protestës u shoqëruan me përplasje të forta me Policinë e Shtetit dhe episode dhune. Protestuesit hodhën sende të forta në drejtim të efektivëve dhe godinave, ndërsa pati edhe tentativa për t’u vënë zjarrin institucioneve publike.
Në shënjestër të akteve të dhunshme përfunduan gjithashtu biznese private, të cilat pësuan dëme materiale. (A2 Televizion)
10:00 Dita e katërt e protestës studentore në Tiranë, “blindohet” Kryeministria! Saldohen dritaret e katit të parë (LIVE)
Një tjetër protestë pritet të mbahet edhe këtë të premte në Tiranë nga studentët dhe të rinjtë, duke hyrë kështu në ditën e katërt të saj. Ndërsa sot nga orët e mëngjesit kanë nisur protesta në Elbasan, Lezhë, Burrell, etj.
Në kuadër të masave të sigurisë, mëngjesin e sotëm, sipas pamjeve, në Kryeministri po saldohen dritaret e katit të parë.
Kujtojmë se godina e Kryeministrisë ka qenë një nga objektivat e protestuesve, të cilët kanë shkaktuar dëme materiale. Protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje, dhunë dhe shoqërime në polici.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



