Me armë kërcënuan pronarin e hotelit në Vlorë, dy nga autorët aksidentohen duke ikur nga policia (VIDEO)

Me armë kërcënuan pronarin e hotelit në Vlorë, dy nga autorët aksidentohen duke ikur nga policia (VIDEO)

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në Orikum, ku mbi 10 persona të armatosur kërcënuan biznesmenin e njohur, Vasil Berdinaj, njëherësh kryetar i shoqatës së operatorëve turistikë për jugun e Shqipërisë prej shumë vitesh.

Sipas raportimeve, ata i kanë kërkuar atij shumën prej pesë milionë eurosh.

Pas rastit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ku gjatë ndjekjes së autorëve, dy persona që udhëtonin me një automjet, janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të qytetit të Vlorës.

Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit.

Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka pësuar dëmtime nga aksidenti, e më pas që të dy janë arrestuar.

Ndërkohë, forca të shumta policie janë shpërndarë në disa zona të qytetit të Vlorës, në përpjekje për të bërë të mundur kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje.

Policia po vijon kontrollet dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa informacionet mbeten paraprake.

Detaje të reja nga përplasja në hotelin në Orikum, si mbivendosja e pronave çoi në konfliktin mes dy biznesmenëve

Detaje të reja dalin në dritë nga konflikti fizik që ndodhi sot në Orikum, mes dy biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj.

Gjatë takimit, debati mes tyre është përshkallëzuar dhe në konflikt janë përfshirë edhe shoqëruesit e dy biznesmenëve dhe janë konfrontuar me njëri-tjetrin.

Ka dyshime se gjatë përplasjes, e cila fillimisht ka qenë fizike, mund të jenë përdorur edhe armë zjarri. Megjithatë, në vendngjarje policia nuk ka konstatuar asnjë gëzhojë.

Study Suggests Amygdala Response Can Predict Depression Treatment Outcomes
Keep Watching

Pala e biznesmenit Muça pretendon se takimi në hotelin Palma ka qenë një kurth i ngritur nga biznesmeni tjetër për të sjellë konflikt dhe për të përfshirë policinë.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë, dëshmitë e personave të përfshirë dhe të dhënat operative, me qëllim rindërtimin e plotë të dinamikës së konfliktit.

Zanafilla e përplasjes – Një konflikt për një pronë në Palasë dyshohet se ka qenë zanafilla e përplasjes që ndodhi sot mes dy biznesmenëve, Luan Muça dhe Vasil Bedinaj, në ambientet e hotelit “Palma”, në Orikum.

Konflikti ka nisur për një pronë në Palasë, ku është projektuar ndërtimi i një resorti. Biznesmeni Luan Muça e kishte blerë tokën me AMTP, duke marrë edhe vërtetimin e pronësisë. Pas përfundimit të procedurave, disa banorë të zonës kanë shfaqur pretendimet e tyre, duke deklaruar se ishin pronarë të së njëjtës pronë dhe se dispononin AMTP të firmosura nga ish-kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro.

Në këto kushte, biznesmeni Muça ka hyrë në negociata me banorët dhe e ka blerë edhe një herë pronën në Palasë, duke kërkuar më pas leje për zhvillimin e saj.

Më vonë, biznesmeni Vasil Bedinaj ka blerë një sipërfaqe toke pranë pronës së Luan Muçës. Dyshohet se një prej parcelave të blera prej tij ka mbivendosje me pronën e blerë dy herë nga Muça. Edhe Bedinaj ka marrë vërtetim pronësie për sipërfaqen e tokës, çka ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si e njëjta pronë rezulton e regjistruar në emër të dy pronarëve të ndryshëm.

Mësohet se më pas edhe biznesmeni Vasil Bedinaj ka marrë leje nga qeveria për zhvillimin e pronës për një investim. Kjo situatë dyshohet se ka sjellë konfliktin mes dy biznesmenëve.

Mësohet gjithashtu se Bedinaj i kishte kërkuar Muçës një përqindje nga projekti i tij, për pjesën e pronës që ka mbivendosje, kërkesë që është kundërshtuar nga ky i fundit.

Me ftesë të Bedinajt, dy biznesmenët kishin rënë dakord të takoheshin sot në mesditë në ambientet e hotelit “Palma”, në Orikum, për të diskutuar mbi konfliktin dhe ngjarja ka degraduar deri në përplasjen e dy biznesmenëve dhe personave që i shoqëronin.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.