Kujdes, mos klikoni! Kur SMS-ja që duket nga banka kthehet në grabitje, Ferhati sjell detajet

Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati, i ftuar në panelin e emisionit Now me Erla Mëhillin, foli për fenomenin e mashtrimit digjital, me të cilin qytetarët janë përballur ditët e fundit përmes mesazheve SMS që imitojnë komunikimet zyrtare të bankave, por që në të vërtetë dërgohen nga mashtrues kibernetikë me qëllim vjedhjen e të dhënave bankare dhe personale.
Gazetari theksoi se rastet e denoncuara deri më tani kanë shkaktuar dëme financiare nga 700 deri në 10 mijë euro, ndërsa dyshohet se autorët e mashtrimit veprojnë jashtë Shqipërisë. Ai u bëri thirrje qytetarëve, veçanërisht personave më pak të informuar rreth teknologjisë, të tregojnë kujdes ndaj mesazheve të dyshimta që kërkojnë të dhëna bankare apo personale.
“Fenomeni nuk është i përhapur në masë, kjo është shumë e rëndësishme, por sigurisht që autoritetet, në këtë rast policia e shtetit por dhe autoritetet e tjera që merren me krimet kibernetike për të parandaluar ndoshta dhe një përhapje masive të saj, kanë bërë thirrje herë pas here.
Të paktën janë deri më tani disa persona që kanë shfaqur këtë shqetësim dhe kanë depozituar edhe kallëzim penal, sepse policia nga denoncimet po themi që kanë ardhur, jo vetëm nga vetë strukturat e bankave por edhe nga qytetarët që janë drejtuar menjëherë në polici kur kanë parë që në llogaritë e tyre bankare mund të ketë vjedhje.
Ka patur disa raste, sipas informacioneve që kam arritur të siguroj, janë vlera të vogla kryesisht nga 700 euro, kanë dalë deri në rreth 10.000 euro.
Sigurisht këto do të jenë pjesë e një procedimi penal i cili do të hetohet nga autoritetet. Dyshimet janë dhe me shumë gjasa hakerat apo personat që e kanë organizuar këtë veprimtari kriminale qëndrojnë jashtë territorit shqiptar.
Ky nuk është rasti i parë ku hakerat ose persona që merren me këtë lloj krimi kibernetik tentojnë të shtrijnë tentakulat e tyre në territorin shqiptar. Në këtë rast kanë zgjedhur këtë lloj mënyre duke targetuar kryesisht personat të cilët nuk janë të mirëinformuar.
Pjesa e cila ndoshta ka dhe më shumë nevojë për një lloj këshillimi, le të themi, janë kryesisht ata që nuk janë të njohur me dixhitalizimin.
Çdo sektor tashmë është i dixhitalizuar dhe kryesisht edhe te bankat, ku merr shërbim, bëhet një lloj brifingu në raport pikërisht edhe me këto”, u shpreh Ferhati.
The post Kujdes, mos klikoni! Kur SMS-ja që duket nga banka kthehet në grabitje, Ferhati sjell detajet appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



