Kujdes shoferë! Kamera edhe në pikën kufitare Bllacë, policia do t’ju regjistrojë shkeljet edhe gjatë lëvizjes!
Sistemi “Safe City” po zgjerohet në gjithë Maqedoninë e Veriut. Kamera të reja do të vendosen edhe në pikën kufitare të Bllacës, ndërsa automjetet policore do të pajisen me pajisje që matin shpejtësinë dhe regjistrojnë shkeljet edhe gjatë lëvizjes.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se në Bllacë do të vendosen edhe pika për pagesën e gjobave nga drejtuesit e automjeteve me targa të huaja, me qëllim shmangien e pritjeve në kufi.
Testimi i kamerave mobile pritet të nisë muajin e ardhshëm, ndërsa funksionalizimi i tyre i plotë parashihet deri në shkurt. Sistemi do të zgjerohet fillimisht në Strumicë, më pas në Shtip dhe Manastir, me synimin që të mbulojë gjithë vendin.
MPB-ja parashikon rreth 10 milionë euro të ardhura në vit nga gjobat e trafikut, prej të cilave 25% do të investohen në përmirësimin e sigurisë rrugore.
Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë periudhës janar–tetor 2026 në aksidente trafiku kanë humbur jetën 85 persona, krahasuar me 117 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që paraqet ulje prej 27,4%.
Toshkovski njoftoi gjithashtu se projekti “Safe City” ka fituar çmimin e parë për sigurinë në trafik në Samitin Botëror të Policisë në Dubai.
The post Kujdes shoferë! Kamera edhe në pikën kufitare Bllacë, policia do t’ju regjistrojë shkeljet edhe gjatë lëvizjes! appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.