Kuvendi mblidhet sot pas përplasjeve mes mazhorancës dhe opozitës, në rend dite 12 projektligje

Kuvendi mblidhet sot pas përplasjeve mes mazhorancës dhe opozitës, në rend dite 12 projektligje

Kuvendi i Shqipërisë rikthehet këtë të mërkurë në seancë plenare, në orën 10:00, pas tensioneve dhe përplasjeve fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës gjatë mbledhjes së javës së kaluar.

Në seancën e sotme, deputetët do të shqyrtojnë 12 projektligje, një akt normativ dhe tri projektvendime. Pjesë e rendit të ditës është edhe një interpelancë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.

Ndër çështjet kryesore që pritet të diskutohen janë projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, për miratimin e të cilit nevojitet shumicë e cilësuar, projektligji për krijimin e Këshillit Fiskal të Republikës së Shqipërisë, si dhe ndryshimet në legjislacionin për akcizat.

Seanca e sotme zhvillohet pas përplasjeve të javës së kaluar, kur deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit dhe zhvilluan debate të ashpra me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Pas tensioneve në nisje të punimeve, Peleshi vendosi që seanca të vijonte drejtpërdrejt me votimin e projektligjeve.

Në vijim, Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin për 60 ditë të gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike: Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri.

Mbetet për t’u parë nëse seanca e sotme do të zhvillohet pa incidente dhe nëse palët do të arrijnë të vijojnë normalisht shqyrtimin e nismave të parashikuara në rendin e ditës.

The post Kuvendi mblidhet sot pas përplasjeve mes mazhorancës dhe opozitës, në rend dite 12 projektligje appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.