LIVE/Protesta e 19-të përshkallëzohet në dhunë! Molotovë e gurë drejt Ministrisë së Arsimit, marshimi drejt Kryeministrisë

Protesta e 19-të ka nisur e ndarë në dy fronte, studentët përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa protesta e thirrur nga PD para kryeminsitrisë.
Studentët janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, ndërsa protestuesit demokratë, me deputetët e opozitës në krye, kanë marshuar drejt Kryeministrisë, ku kanë qëndruar rreth 30 minuta.
Në krye të marshimit të PD-së kanë qenë deputetët demokratë Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Gazment Bardhi, Bledion Nallbati dhe të tjerë, të ndjekur nga mbështetësit e Partisë Demokratike.
Pasi qëndruan rreth 30 minuta përpara Kryeministrisë, protestuesit demokratë, me deputetët e opozitës në krye, u nisën drejt Ministrisë së Arsimit, ku ndodheshin studentët.
Sapo protestuesit e udhëhequr nga deputetët e opozitës mbërritën në hyrje të Rrugës së Durrësit, u pritën me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”. Ka pasur edhe një përplasje verbale me një protestues, i cili ka kërkuar që deputetët e opozitës të largoheshin.
Situata më pas është tensionuar para Ministrisë së Arsimit. Prej rreth një ore, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje protestuesve që të ndalojnë hedhjen e gurëve dhe sendeve të forta drejt efektivëve.
Pavarësisht paralajmërimeve, një pjesë e protestuesve kanë vijuar të heqin pllaka guri nga trotuaret dhe t’i hedhin drejt forcave të policisë. Në komunikimin e fundit, policia deklaroi se ky ishte paralajmërimi i fundit dhe bëri sërish thirrje që të mos qëllohet ndaj efektivëve.
Para Ministrisë së Arsimit është krijuar edhe një re tymi. Fillimisht u raportua për tym nga flakadanët, ndërsa më pas u sqarua se bëhej fjalë për tymin e zjarrit të fikur në kazanët e mbeturinave, i cili ka mbështjellë zonën pranë ministrisë. Protestuesit vijojnë ndërkohë me thirrjet “Ju erdhi fundi”.
Rreth orës 15;20 protestuesit filluan të hidhnin “breshëri” molotovësh drejt forcave të policisë, e cial është përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës
Pas disa orësh tensione dhe përplasjesh me policinë, protestuesit janë larguar nga ambientet pranë Ministrisë së Arsimit dhe kanë nisur marshimin në drejtim të Kryeministrisë./TCH
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



