Rama uron Melonin për rekordin historik, qeveria më jetëgjatë në historinë e Italisë

Rama uron Melonin për rekordin historik, qeveria më jetëgjatë në historinë e Italisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar përmes një videoje homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, në një ditë historike për qeverinë e saj, e cila ka arritur rekordin si ekzekutivi më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Pas 1,413 ditësh në detyrë, qeveria e drejtuar nga Meloni ka tejkaluar çdo qeveri tjetër në historinë republikane të Italisë për kohëzgjatjen në pushtet.

Me këtë rast, partia e Melonit, ka përgatitur një dokument 28-faqësh me titullin “Më shumë stabilitet për një Itali më të fortë”, i cili do të prezantohet zyrtarisht gjatë një aktiviteti politik në portin e Barit.

Në dokument, një vëmendje e veçantë i kushtohet politikave të emigracionit dhe sigurisë, ku marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë paraqitet si një prej instrumenteve të rëndësishme të strategjisë së qeverisë Meloni për menaxhimin e flukseve migratore.

Sipas raportit, rreth 16 mijë migrantë kanë mbërritur në Itali gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, 55% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Dokumenti thekson gjithashtu se vendet europiane po ndjekin “rrugën e nisur nga Italia me protokollin me Shqipërinë”, në kuadër të politikave për kontrollin e kufijve dhe krijimin e qendrave të riatdhesimit në vende të treta.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.