Migracioni dhe konfliktet identitare, tema bosht të festivalit “Kino Kosova”
Temat e filmave të festivalit që po mbahet në Bernë: Problemi i migracionit, kompleksi me identitetet, etnike, gjinore etj. The post Migracioni dhe konfliktet identitare, tema bosht të festivalit “Kino Kosova” appeared first on Albinfo.

Festivali i filmit “Kino Kosova” ka pasur dje ditën e tretë të tij, të përmbushur me projeksione filmash të disa zhanreve, me panele debati dhe me muzikë. Gjithçka të lë përshtypjen e një aktiviteti të konsoliduar kulturor dhe që përmbush standarde të një festivali serioz filmi, për çfarë duhen falënderuar organizatorët.
Një panel debati me temën “Boshllëku i Audiencës…” është mbajtur në programin e pasdites, ku pjesëmarrësit kanë trajtuar boshllëqet kulturore në ekran. Paneli ka shqyrtuar qasjen: Se si shpërndarja, gjuha dhe madje edhe vendndodhja përcaktojnë se kush mund të shohë cilat histori dhe çfarë mund të bëjnë festivalet për ta bërë kinemanë më gjithëpërfshirëse dhe demokratike, shkruan albinfo.ch.
Në programin e pasdites është shfaqur filmi artistik i metrazhit të gjatë “Unwanted” (I padëshiruar), i regjisorit shqiptar nga Holanda, Edon Rizvanolli. Në vitin 1998, ai realizoi filmin e tij të parë të shkurtër, Blownaway, i ndjekur nga dokumentari fitues i çmimeve Shuffle – Politics, Bullshit and Rock ‘n’ Roll, rreth skenës alternative të muzikës në Prishtinë. Që nga viti 2007, ai jeton në Amsterdam dhe punon si aktor, regjisor dhe montazhier filmash. Unwanted është debutimi i tij në film artistik, me premierën botërore në Karlovy Vary.
Syzheu i filmit: Adoleshenti Alban jeton në Amsterdam me nënën e tij Zana. Ajo iku nga Kosova gjatë Luftës Ballkanike. Kur Albani fillon të dalë me Anën e ndjeshme, asnjëri prej tyre nuk dyshon se plagët dhe hijet e vjetra nga e kaluara do të dalin në sipërfaqe.
Pastaj në programin e mbrëmjes janë zhvilluar dy aktivitete paralele: shfaqja e pesë filmave të shkurtër, nga Kosova, Zvicra etj. në një sallë alternative dhe ngjarja në kinemanë Rex ku Ambasada e Kosovës ka pritur stafin e Ambasadës së Portugalisë, në Bernë, me ç`rast janë shfaqur edhe disa filma të dy vendeve përkatëse.
Tema e filmave të shfaqur në programin kryesor, ka ndjekur vazhdën e asaj që e dallon konceptin e këtij festivali: Problemi i migracionit, kompleksi me identitetet, etnike, gjinore dhe të ngjashme. Pas shfaqjes së disa prej filmave, është zhvilluar edhe bisedë me autorët respektivë të tyre.
“Wie lange bleibt Ihr noch?” (Sa gjatë do të qëndroni?) ishte filmi i parë në këtë cikël. Në filmin e tyre të shkurtër, regjisorët e rinj nga Gjermania Arnit Likaj dhe Jasmin Rai eksplorojnë përvojat dhe ndjenjat e tyre të të qenit të zënë midis dy kulturave. Ata kanë një sfond migrimi dhe nuk ndihen plotësisht si në shtëpi as në Gjermani dhe as në vendin e prindërve të tyre.
Në film, ata punojnë me tekste të shkruara dhe të folura vetë në gjuhët e tyre amtare, ndërsa përshkruajnë procesin e përpunimit të patateve, ku ata punojnë, në një fabrikë, në Gjermani. Ky film i shkurtër është filmi i tyre i parë.
Arnit Likaj pastaj u është përgjigjur pyetjeve të moderatores, Aleksandra Hiltmann, rreth temës së përshkruar në film. Ai ka vënë theksin tek dualiteti i identiteteve që vjen si pasojë e jetës në mërgim dhe mbajtjes së lidhjes me atdheun e vet ose të prindërve.
Një film tjetër i shfaqur mbrëmë ishte “She Asked Me Where I Was From” (Ajo më pyeti nga isha) me regjisore Aulona Fetahajn. Një film personal për jetën e (fëmijëve të) refugjatëve në një epokë dixhitale.
Aulona Fetahaj ka studiuar filmin në Universitetin Sint-Lukas në Bruksel. Ajo kërkon një gjuhë kinematografike për shtëpinë dhe zhvendosjen, duke eksploruar rolin që luajnë kujtimet në (rikrijimin) e identiteteve.
“Unsere Name ist Ausländer (Emri ynë është i huaj) ishte filmi i radhës, i regjisores së re zvicerane me prejardhje kurdë nga Turqia, Seline Besill.
Hêlîn, Selin, Firat dhe Serhat janë vëllezër e motra që u rritën në një fshat në Zvicrën qendrore. Përmes rrëfimeve në veten e parë ata evokojnë kujtimet e fëmijërisë së tyre në Zvicër që i përshkon përvoja negative e ndeshjes me paragjykime ndaj tyre, si të huaj.
“Dandelion” (Luleradhiqe) është një film i regjisores suedeze-shqiptare Fiona Obertinca që trajton temën e identiteteve gjinore.
Në Los Angeles të viteve 1970, adoleshentja rebele queer Margaret përjashtohet përsëri nga një familje kujdestare dhe e gjen veten në shoqërinë e një punonjëseje sociale misterioze të ngarkuar me detyrën për t’i gjetur asaj një shtëpi të re para agimit…
Vetë Fiona është një refugjate nga Kosova dhe bija e një nëne beqare me katër fëmijë, ajo tregon histori për gra komplekse, rezistente me zemër dhe humor. Filmi i saj i shkurtër SHPËTIMI fitoi një çmim në Festivalin Pixel. Dandelion fitoi çmime në Brooklyn dhe Palm Springs, ndër të tjera. Ajo është diplomuar në Konservatorin e Institutit Amerikan të Filmit dhe jep mësim skenari në Universitetin Northwestern.
Në programin e natës (nga ora 22.00) është shfaqur filmi artistik i metrazhit të gjatë “Gülizar”, që është koproduksioni i parë në mes të Kosovës dhe Turqisë.
Sot vazhdon programi me shfaqje filmash, debat dhe në përmbyllje vjen koncerti i këngëtares së re e të suksesshme nga Kosova, Agona Shporta me kuintetin e saj, e cila prezanton albumin “Hape portën”.
Platforma mediale albinfo.ch është partner medial i festivalit “Kino Kosova”.
The post Migracioni dhe konfliktet identitare, tema bosht të festivalit “Kino Kosova” appeared first on Albinfo.