Moreira takohet me Bardhin, në fokus anëtarësimi i Shqipërisë: Kuvendi duhet të jetë hapësirë dialogu

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, është takuar këtë të martë me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Lajmi është bërë i ditur nga zyra e BE-së në Tiranë, përmes një postimi ku bëhet me dije se në qendër të diskutimit ka qenë procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe roli i Kuvendit në përmbushjen e reformave të kërkuara.
Pas takimit, ambasadorja Moreira de Sousa theksoi rëndësinë e angazhimit të të gjitha palëve politike, duke nënvizuar nevojën për dialog parlamentar dhe llogaridhënie të ekzekutivit.
“U takova sot me z. Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD-së, për të diskutuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Patëm një diskutim të frytshëm mbi rolin qendror të Kuvendit në miratimin e reformave, përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së dhe sigurimin e llogaridhënies së ekzekutivit.
Kjo kërkon angazhimin e të gjitha palëve dhe që Kuvendi të jetë një hapësirë e mirëfilltë dialogu”, u shpreh ambasadorja e BE-së.
Takimi vjen në një kohë kur procesi i integrimit evropian kërkon vijimin e reformave dhe bashkëpunimin mes forcave politike në Kuvend.
The post Moreira takohet me Bardhin, në fokus anëtarësimi i Shqipërisë: Kuvendi duhet të jetë hapësirë dialogu appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



