Ndryshimet në ligjin për Bankën e Shqipërisë, deputeti përplaset me gazetarin: Pranoje që je i njëanshëm

Deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Shalsi, dhe analisti Bledian Koka janë përfshirë në një debat në emisionin “NOW me Erla Mëhillin”, lidhur me ndryshimet në ligjin për Bankën e Shqipërisë, të miratuara në Kuvend me 84 vota.
Gjatë debatit, Shalsi i kërkoi analistit të mos e ndërpriste dhe të linte bashkëbiseduesin të përfundonte argumentet e tij. Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje ekspertizën e Kokës për çështjet që lidhen me Bankën e Shqipërisë.
“Duhet të kesh durim të më dëgjosh. Kam një kërkesë dhe e kam shumë merak: ndërprerjet e vazhdueshme. Lëre tjetrin ta artikulojë. Unë nuk jam ekspert i milljes dhe i peshkut, nuk marr përsipër të flas pa e pasur idenë. Edhe për Bankën e Shqipërisë, edhe për peshkun, edhe për shumë të tjera. Kur di një gjë, e di; kur nuk e di. Për shembull, çfarë di ti për kursin e këmbimit valutor? Mos merr përsipër të flasësh. Mbi ç’bazë flet ti për këto? Duhet të kesh ekspertizë. Kam një pyetje: në çfarë cilësie flet?”, u shpreh Shalsi.
“Unë jam gazetar”, u përgjigj Kokau.
Shalsi e akuzoi më pas analistin për njëanshmëri politike.
“Ti je gazetar i njëanshëm. Dukesh nga mënyra si flet. E di si flet ti kur të dëgjoj. Ti je si ata kamikazët e PD-së. Pranoje që je i njëanshëm”, tha deputeti.
Nga ana e tij, Koka iu përgjigj:
“Po ti je deputet apo karton-ngritës? S’të kam parë ndonjëherë të bësh një kritikë, s’të kam parë të bësh ndonjë fjalim, vetëm ngre kartonin”, iu drejtua analisti deputetit socialist.
The post Ndryshimet në ligjin për Bankën e Shqipërisë, deputeti përplaset me gazetarin: Pranoje që je i njëanshëm appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



