Rama: Do të nisim konsultimet me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të nisë konsultimet me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale, ndërsa po shqyrton nëse kufiri i moshës për këtë masë duhet të jetë 16 apo 18 vjeç, në mënyrë që fëmijët të mos kenë llogari individuale në këto platforma.
Gjatë fjalës së tij në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama njoftoi gjithashtu se, duke filluar nga viti i ardhshëm, fëmijët do të qëndrojnë në shkolla deri në orën 17:00.
“Duhet hapur debati se si dhe kur duhet të kufizojmë aksesin në rrjetet sociale të të miturve dhe deri në cilin kufi moshe, 16 apo 18 vjeç, që të mos kenë më asnjë mundësi të kenë rrjetet e tyre sociale individuale. Ne do të fillojmë një konsultim, siç bëmë në rastin kur na u desh të kufizonim TikTok-un. Do të nisim një diskutim me mësuesit, prindërit dhe të gjitha shkollat për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit. Tjetra që është shumë e rëndësishme është puna që duhet bërë bashkërisht midis nesh dhe shoqërisë civile të interesuar për këtë pjesë, për të rritur gamën e aktiviteteve sociale për të miturit, duke nisur nga sporti deri te kultura. Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë është diçka që do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet të posaçëm që prindërit të vazhdojnë të punojnë dhe fëmijët të jenë në mjediset e shkollës deri në orën 17:00”, deklaroi Rama.
Duke u ndalur te situata e javëve të fundit nga protestat, kryeministri tha se Këshilli merr rëndësi të veçantë si një tryezë ku këndvështrimet e ndryshme mund të ndihmojnë në hartimin e një qasjeje të përbashkët.
Ai u shpreh se shoqëria është bërë dëshmitare e një panorame shqetësuese, ku dhuna është relativizuar, justifikuar dhe deri edhe është hyjnizuar. Sipas Ramës, dhuna është shoqëruar edhe me keqinformim dhe keqedukim, duke e kthyer Policinë e Shtetit në objekt stigmatizimi, ndërsa personat që kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve dhe shkollave kanë marrë, sipas tij, status qytetarie dhe imunitet mediatik.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se, nëse shoqëria mbetet vetëm te ekspozimi dhe kritika e këtyre rasteve, dhuna mund të shfaqet në forma të tjera dhe të përdoret kundër mësuesve, autoriteteve të shkollave, pedagogëve, universiteteve apo kujtdo që konsiderohet pengesë për ushtrimin e të drejtave.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij ishte pjesëmarrja e një numri të konsiderueshëm të miturish në protesta. Rama tha se ata, përpara se të konsiderohen fajtorë, duhet të shihen si fëmijë që kanë nevojë për ndihmë. Sipas tij, duhet të identifikohen dhe të neutralizohen burimet që i ushqejnë me frymën dhe joshjen e dhunës.
Rama u ndal edhe te nevoja për të mbështetur familjet, duke përmendur si shembuj subvencionimin e sigurimeve shëndetësore për nënat e papuna që rrisin fëmijët dhe janë kryefamiljare, kalimin e bonusit të bebes në një skemë mbështetjeje të rregullt mujore për fëmijët, si dhe rritjen me më shumë se dyfish të mbështetjes financiare për studentët që vijnë nga familje në nevojë.
Kryeministri theksoi se këto masa nuk janë të mjaftueshme dhe se situata kërkon një qasje të re ndaj gjithçkaje që ndihmon socializimin fizik të njerëzve.
The post Rama: Do të nisim konsultimet me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



