TVSH-ja nga 6% në 10%, operatorët turistikë në Vlorë kërkojnë të rishikohet vendimi

TVSH-ja nga 6% në 10%, operatorët turistikë në Vlorë kërkojnë të rishikohet vendimi

Nga 1 janari 2027, TVSH-ja për njësitë hoteliere pritet të rritet nga 6% në 10%. Ky ndryshim kundërshtohet nga operatorët turistikë në Vlorë, të cilët paralajmërojnë rritje të kostove dhe çmimeve për klientët, ndërsa kërkojnë rishikimin e vendimit.

Administratorët e njësive hoteliere në qytetin bregdetar thonë se kjo rritje do të rëndojë më tej aktivitetin e tyre dhe do të ndikojë në konkurrueshmërinë e sektorit.

Kledjan Binjakaj, administrator hoteli në Vlorë, thotë se sektori po përballet edhe me pasojat e rënies së kursit të euros, e cila, sipas tij, ka ndikuar ndjeshëm në të ardhurat e njësive akomoduese. Ai paralajmëron se kostot shtesë do ta vështirësojnë konkurrencën me vendet fqinje.

Sipas Binjakajt, vendimi është kundërshtuar nga dhjetëra operatorë në rang vendi, të cilët kërkojnë rishikimin e rritjes së TVSH-së.

Një tjetër shqetësim për bizneset lidhet me rritjen e taksave vendore nga Bashkia e Vlorës. Sipas administratorit, detyrimet financiare janë shtuar, por kjo nuk është shoqëruar me përmirësim të shërbimeve.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e operatorëve turistikë në Vlorë i janë bashkuar përfaqësisë që synon të kundërshtojë rritjen e TVSH-së përmes procedurave zyrtare dhe ligjore.

The post TVSH-ja nga 6% në 10%, operatorët turistikë në Vlorë kërkojnë të rishikohet vendimi appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.