Ilir Panda merr drejtimin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi i dorëzon detyrën

Ilir Panda merr drejtimin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi i dorëzon detyrën

Sokol Sadushi i ka dorëzuar zyrtarisht detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë Ilir Pandës, në një ceremoni të zhvilluar këtë të premte në Tiranë, në Sallën e Kolegjeve të Bashkuara.

Në ceremoni morën pjesë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, këshilltarët ligjorë dhe punonjës të administratës së institucionit.

Kalimi i detyrës shënon përfundimin e mandatit gjashtëvjeçar të Sadushit në krye të gjykatës, periudhë gjatë së cilës, sipas institucionit, një nga sfidat kryesore ishte ulja e numrit të dosjeve të prapambetura, përmirësimi i cilësisë së vendimeve dhe rritja e transparencës me publikun.

Në fjalën e tij, Sadushi falënderoi bashkëpunëtorët për angazhimin gjatë këtyre viteve, duke kujtuar vështirësitë e fillimit, kur gjykata kishte vetëm një gjyqtar dhe mijëra dosje në pritje.

Ai bëri të ditur se do të vijojë të kontribuojë në Gjykatën e Lartë në cilësinë e gjyqtarit.

“Për mua përfundon sot detyra e kryetarit, ndërsa vijon përgjegjësia si gjyqtar i kësaj gjykate. Do të vazhdoj të punoj përkrah jush, me të njëjtin përkushtim ndaj institucionit dhe ndaj qytetarëve që presin drejtësi”, u shpreh Sadushi.

Ndërsa kryetari i ri, Ilir Panda, e cilësoi marrjen e detyrës si një përgjegjësi të lartë ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve. Ai vlerësoi punën e bërë për ringritjen e institucionit, duke theksuar se besimi i publikut te drejtësia kërkon standarde të larta në vendimmarrje dhe administrim efikas të proceseve gjyqësore.

“Besimi i publikut ndërtohet përmes cilësisë së vendimmarrjes, arsyetimit të qartë e të qëndrueshëm gjyqësor, administrimit efikas të proceseve dhe përgjegjësisë institucionale”, deklaroi Panda.

Me marrjen e detyrës nga Ilir Panda, Gjykata e Lartë vijon punën për trajtimin e çështjeve gjyqësore dhe garantimin e një drejtësie të paanshme e të besueshme për qytetarët.

The post Ilir Panda merr drejtimin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi i dorëzon detyrën appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.