Përplasja me Ramën, Veliaj reagon sërish nga burgu: Më çoni dhe në Spaç po deshët, nuk përkulem e nuk shantazhohem

Nga qelia e burgut të Fierit, Erion Veliaj ka publikuar shënimet e ditarit të tij për takimin me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, të cilit thotë se kryeministri Edi Rama i kishte përcjellë një sërë kërkesash dhe mesazhesh. Në shënimet e bëra publike, kryebashkiaku i Tiranës u përgjigjet pretendimeve për përfshirjen e tij në protestat kundër qeverisë, mundësinë e delegimit të drejtimit të Bashkisë së Tiranës te Arbër Hajdari, si dhe kërkesës për të hequr dorë nga avokati Plarent Ndreca.
Veliaj mohon kategorikisht të ketë organizuar apo financuar protestat e studentëve dhe ato të lëvizjes Flamingo, duke i cilësuar pretendimet si sajesa. Ai ironizon akuzat se nga qelia mund të organizojë rrëzimin e rendit kushtetues, ndërsa përgjigjen për Ramën e ka të drejtpërdrejtë: nuk mund të intimidohet prej tyre.
“Përgjigja për KM është: Nuk i organizoj protestat, po as nuk më intimidon dot me këto sajesa që i përbuz me neveri. Fuckin’ grow up, ku ju del koha të merreni”, shkruan Veliaj.
Në shënimet e tij, ai ndalet edhe te transferimi nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, të cilin e përshkruan si një veprim të urdhëruar nga kryeministri dhe jo si një favor që duhet t’i njihet këtij të fundit.
“Turp që KM merret vetë me internimet”, shkruan Veliaj, duke shtuar se largimi dhe izolimi nga familja nuk e bëjnë Ramën më të madh.
“Bëtë goditje të madhe, për të dalë kaq të vegjël, pity. Më çoni dhe në Spaç po deshët, nuk përkulem e nuk shantazhohem”, vijon ai.
Një pjesë të konsiderueshme të shënimeve Veliaj ia kushton protestave dhe dëmeve të shkaktuara në kryeqytet. Ai thotë se nuk do të sulmonte kurrë qytetin me të cilin është marrë gjatë gjithë kohës së drejtimit të bashkisë, ndërsa dëmet e shkaktuara i konsideron të dhimbshme.
“Unë nuk i bie shtëpisë sime me gurë. PS jo e jo, po flas Tiranën. Jam marrë me çdo semafor, pllakë në shesh, sinjalistikë etj. Më dhemb më shumë se të gjithë ju bashkia”, shkruan ai.
Veliaj sjell në vëmendje edhe angazhimin e tij në ngjarje të mëparshme politike, si 21 Janari, greva e urisë dhe protestat e opozitës, duke akuzuar ministrat aktualë se nuk kanë përjetuar të njëjtat situata dhe se sot e kanë të lehtë të flasin për armiq të brendshëm.
Përplasja për drejtimin e Bashkisë së Tiranës
Një tjetër mesazh i fortë në shënimet e Veliajt lidhet me kërkesën për t’ia deleguar drejtimin e Bashkisë së Tiranës Arbër Hajdarit. Kryebashkiaku e refuzon këtë mundësi, duke argumentuar se mandati i është dhënë nga Gjykata Kushtetuese dhe nga qytetarët.
Ai rendit atë që e cilëson si mungesë të investimeve dhe vendimmarrjes gjatë periudhës kur bashkia nuk drejtohej prej tij, duke përmendur mungesën e shkollave të reja, pemëve të mbjella, investimeve dhe kredive të lëshuara.
Veliaj pretendon se pas rikthimit të tij në detyrë janë zhbllokuar gjashtë shkolla në muajin shtator dhe janë dhënë mbi 1500 kredi të buta.
“Jo se jam më i afti, po se jam zgjedhur, ndaj dhe më i përgjegjshëm”, shkruan ai.
Ai kritikon gjithashtu mënyrën se si është administruar bashkia gjatë mungesës së tij dhe përmend emrat e Etleva Kondit, Sadi Vorpsit dhe Sara Gjergjit, për të cilët thotë se janë njerëz me kontribute në Partinë Socialiste.
Në fund, duke iu referuar propozimit për Arbër Hajdarin, Veliaj shprehet:
“Ndaj hajt ta promovojmë Arbrin, s’është djalë i keq, por delegimin nuk e bëj më”.
Veliaj mbron Plarent Ndrecën: Më mirë një i saktë se 1000 servilë
Në shënimet e publikuara, Veliaj i përgjigjet edhe kërkesës për të hequr dorë nga përfaqësimi prej avokatit Plarent Ndreca. Ai e cilëson atë si një prej njerëzve të paktë që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se marrëdhënia e tyre tashmë ka kaluar përtej raportit profesional.
“Plaro m’u bë shok, mik e avokat. Para vakisë ishim bashkëpunëtorë, po ngaqë ju ikët a s’ju la udhëheqësi, mbeta veç me Plaron e tani them më mirë 1 i saktë se 1000 servilë kot”, shkruan Veliaj.
Ai tregon se takimi me Ndrecën ka përfunduar në mesnatë, pasi avokati i kishte sjellë dy libra, ndërsa më pas ishte larguar së bashku me drejtorin e burgut.
“24:00 e mbyllëm. Më solli dy libra e falënderova, ai u largua me drejtorin, unë u riktheva në qeli me paterica”, shkruan kryebashkiaku.
Në fund, Veliaj thekson se i ka uruar të mira avokatit, por se nuk pranon marrëveshje apo afera të paligjshme.
Shënimet e publikuara nga burgu i Fierit shfaqin një përplasje të hapur të Veliajt me Ramën, ku përtej akuzave për protestat dhe drejtimin e bashkisë, ai kundërshton edhe mënyrën se si po trajtohet gjatë qëndrimit në burg.
The post Përplasja me Ramën, Veliaj reagon sërish nga burgu: Më çoni dhe në Spaç po deshët, nuk përkulem e nuk shantazhohem appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



