Projekti TID në Durrës/ Rama takim me protestuesit: Do të rivlerësojmë banesat

74 familjet e Durrësit që preken drejtpërdrejt nga projekti TID në Durrës, u është mundësuar sot një takim me kryeministrin Edi Rama. Bëhet fjalë për 74 familje, që do të shpronësohen me qëllim rijetëzimin e bulevardit historik “Edidamn”. Pas rreth 2 orëve diskutime në ambientet e brendshme të bashkisë së Durrësit ku prezent ishin përfaqësues të 74 […]

Projekti TID në Durrës/ Rama takim me protestuesit: Do të rivlerësojmë banesat

74 familjet e Durrësit që preken drejtpërdrejt nga projekti TID në Durrës, u është mundësuar sot një takim me kryeministrin Edi Rama. Bëhet fjalë për 74 familje, që do të shpronësohen me qëllim rijetëzimin e bulevardit historik “Edidamn”.

Pas rreth 2 orëve diskutime në ambientet e brendshme të bashkisë së Durrësit ku prezent ishin përfaqësues të 74 familjeve, banorët arritën një marrëveshje me qeverinë, referuar vlerësimit të pronave. Në dalje, kryeministri për mediat tha se do të bëhet rivlerësimi i disa banesave që pretendohet se mbartin vlera kulturore, do të rishikohet problemi i disa shtëpive që nuk disponojnë hipotekë dhe se do të rishikohen referencat e reja sa i përket vlerës së shpronësimit. Rama tha se projekti do të vijojë dhe se banesat që janë kapur nga plani do të shemben.

“Kemi rënë dakord se si do të shkojmë përpara, qoftë me atë verifikimin e nevojshëm për objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Do të ketë prishje, nuk do të ndalet, por do të bëhet verifikim për disa shtëpi që pretendohet se janë trashëgimi kulturore dhe disa shtëpi që nuk kanë marrë regjistrimin në hipotekë. E kemi diskutuar edhe çështjen e çmimit dhe do të duhet të shohim referencat e reja”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri foli dhe për protestën e banorëve të Durrësit me 10 shkurt përpara bashkisë ku pati përplasje të forta me policinë, më këshilltarë të bashkisë, goditje me vezë të godinës dhe përplasje fizike me drejtorin e IMT-së Durrës dhe një inspektor.

Pjesëmarrës në protestë përveç banorëve që preken nga projekti TID, kishte dhe anëtarë të Partisë Demokratike, përmendim këtu Orest Berberin. Rama tha se kushto tjetër që nuk është pjesë e problemit dhe shkakton trazira, i shkon pas një 80-vjeçari të rrjedhur nga rrugët e arsyes, referuar Sali Berishës.

“Ata që kanë hallin, me ta kemi folur. Biseda ka qenë konstruktive, me opinione të ndryshme. 35 të tjerë atje, që nuk përfaqësojnë as qytetin as qytetarët, por vetëm hallin e një 80 e kusur vjetari, të rrjedhur nga çdolloj rruge të arsyes, krijojnë situata që janë qesharake dhe që tregojnë se ku është katandisur ajo parti”, tha Rama.

Prej ditësh banorët protestojnë duke u shprehur kundër bonusit të qirasë që bashkia ka planifikuar për banorët pas shpronësimit, një fond prej 315.5 milionë lekësh. Ata nuk janë kundër zhvillimit, por kundër marrjes së banesave nga shteti dhe mossigurimit nga ana e tyre të një tjetër çatie.