Promovimi i librit “Për Kosovën Republikë” në Gjenevë, një mbrëmje kujtese dhe emocionesh në mesin e mërgatës
Enver Dugolli ka promovuar këto ditë, në tri aktivitete të ndryshme në Zvicër librin e tij të radhës, “Për Kosovën Republikë”.
Aktivitetet rreth promovimiit të librit në fjalë në Zvicër filluan në Gjenevë më 14 nëntor. Në një atmosferë të mbushur me emocione, kujtime dhe ndjenjë të fortë atdhedashurie, në Gjenevë mbrëmja promovuese e librit “Për Kosovën Republikë”, të autorit Enver Dugolli është pritur me shumë interesim nga te pranishmit.
Takimi me bashkatdhetarë që jane veprimtarë, krijues dhe përfaqësues të veprimtarive te ndryshme shqiptare ishte një rast ku mund të njihen më nga afër me dëshmitë dhe kujtimet e autorit nga një periudhë vendimtare e historisë së Kosovës.
Mbrëmja u nderua edhe me praninë e profesorit Michele Greco, veprimtar arbëresh që jeton në Gjenevë.
Gjatë bashkëbisedimit me të pranishmit, Enver Dugolli ndau kujtime personale dhe dëshmi nga angazhimi i tij në rrugëtimin politik e kombëtar për lirinë dhe Republikën e Kosovës. Ai riktheu në vëmendje përjetime, sfida dhe sakrifica të një periudhe në të cilën, së bashku me shumë bashkëveprimtarë, kishte vënë në shërbim të çështjes kombëtare gjithë përkushtimin e tij.
Mbrëmja u karakterizua nga një atmosferë e veçantë bashkëbisedimi dhe reflektimi. Pavarësisht largësisë gjeografike, pjesëmarrësit dëshmuan se lidhja me Kosovën, historinë dhe kujtesën kolektive mbetet e gjallë në mesin e mërgatës shqiptare.
Në këtë kontekst, libri “Për Kosovën Republikë” u prezantua jo vetëm si një vepër që dokumenton përjetime dhe angazhime personale, por edhe si një dëshmi që i shërben ruajtjes së kujtesës historike dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj.
Me një përkushtim të veçantë poeti dhe studiuesi z. Musa Jupolli solli këndveshtrimin e tij mbi librin dhe ngjarjet kombëtare të Kosovës edhe para vitit 1981. Z. Jupolli me mprehtësinë prej studiuesi e solli librin tejet atraktiv për ta nxitur leximin e tij e mbi të gjithë rëndësinë e vlerës së tij historike jo vetëm për gjeneratat e reja por edhe për studiuesit e qështjes kombëtare të shqiptarëve.
Enver Dugolli gjatë prezantimit të librit theksoi se Kosova Republikë është rezultat i përpjekjeve, sakrificave dhe qëndresës së shumë brezave, ndërsa dëshmitë për këtë rrugëtim përbëjnë një amanet historik që duhet ruajtur dhe përcjellë ndër breza.
Takimi i autorit Dugolli me bashkëveprimtarët e çështjes kombëtare ishte përplot emocione mirëpo pa emocione nuk ishin as momentet që ai ndau veçmas me anëtarët e shoqerisë kulturore artistike ´Ilirët’ nga Lozana të cilët sollën zërin e rezistencës sonë kombëtare që ishte percjellë përmes këngëve të melosit tonë.
Duke ja marrë edhe vetë këngës bashkë me të rinj dhe të reja në sallë ai dha një porosi të qartë për mërgatën se edhe kënga mban gjallë shpirtin shqiptar kudo që jeton ai.
Ilir Bytyqi, artist i anssmblit “Ilirët” lexoi disa fragmente nga libri i Z.Dugolli të cilat krahas nivelit të interpretimit artistik ishin fragmente që nxisin të lexohet kjo vepër me nje përmbajtje te veçante historike.
Gjatë mbrëmjes autori u nderua me mirënjohje per veprat e tij historike nga Lidhja e krijuesve dhe shkrimtarëve shqiptarë në mërgatë si dhe nga Shoqata Kulturore Dora d’Istria nga Gjeneva.
“Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi të veçantë për lidhjet me mergaten shqiptare. Përmes shkrimeve dhe dëshmive historie, z. Enver Dugolli kontribuon në ruajtjen e kujtesës kombëtare, në forcimin e lidhjes me mërgatën shqiptare dhe në promovimin e të vertetës historike të Republikës së Kosovës”, thuhej në mirënjohjen e Dora d’Istrias.
Kujtime nga burgu dhe lufta per Lirinë e Kosovës u evokuan edhe nga Z. Shemsi Syla, ish i burgosur politik dhe veprimtar i dalluar ne luftën për Kosovën Republikë.
Në përfundim të mbrëmjes, Enver Dugolli shprehu mirënjohjen për organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit, duke falëndeuar veçmas edhe brezin e ri dhe studentët qe kishin ardhur edhe nga Lozana.
Promovimi në Gjenevë dëshmoi edhe një herë rëndësinë e organizimeve kulturore e historike në mërgatë, si hapësira ku takohen kujtesa, identiteti dhe përgjegjësia për ta përcjellë historinë te brezat që vijnë. Kudo që jetojnë shqiptarët, Kosova është pjesë e historisë, identitetit dhe kujtesës së tyre kolektive.
The post Promovimi i librit “Për Kosovën Republikë” në Gjenevë, një mbrëmje kujtese dhe emocionesh në mesin e mërgatës appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.