Protestat e studentëve, ambasadorja e BE nga Elbasani: Dhuna nuk mund të jetë mënyra e shprehjes së pakënaqësive

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa këtë të premte ka zhvilluar një vizitë në Elbasan, ku mori pjesë në takimin e katërt të Komitetit Konsultativ CoR-Shqipëri.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në vend, ambasadorja theksoi se dhuna nuk mund të jetë mënyra e shprehjes së pakënaqësive, ndërsa nënvizoi përgjegjësinë e institucioneve për të garantuar dëgjimin dhe adresimin e shqetësimeve të qytetarëve.
Edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cilësoi shqetësuese protestat e dhunshme, duke bërë thirrje për dialog dhe protesta paqësore. Sipas tij, në një demokraci qytetarët kanë jo vetëm të drejta, por edhe detyrime.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe bashkëkryetari i Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, Antonio Mazzeo, i cili dënoi dhunën, por u ndal edhe te çështje të tjera që lidhen me pushtetin vendor. Mazzeo theksoi se reforma territoriale duhet të mbështetet te funksionet dhe përgjegjësitë e pushtetit vendor dhe jo te interesat elektorale.
Ndërsa lidhur me çështjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ai nënvizoi rëndësinë e garantimit të një procesi të drejtë dhe pavarësisë së gjyqësorit. Mazzeo iu referua gjithashtu raportit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, i cili ngre shqetësimin për praktikën e paraburgimit të zgjatur të kryetarëve të bashkive.
Takimi i katërt i Komitetit Konsultativ CoR-Shqipëri u zhvillua për herë të parë në Elbasan, me fokus rolin e pushtetit vendor në procesin e integrimit europian.
Zgjedhja e Elbasanit si mikpritës merr rëndësi edhe për angazhimin e qytetit në politikat europiane të klimës. Elbasani është qyteti i parë në Shqipëri që iu bashkua zyrtarisht konsorciumit për zbatimin e misionit të Bashkimit Europian për 100 qytete klimatike neutrale dhe inteligjente deri në vitin 2030.
Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i institucioneve vendore, transparenca dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, si elemente thelbësore për ta afruar procesin e integrimit europian me qytetarët.
The post Protestat e studentëve, ambasadorja e BE nga Elbasani: Dhuna nuk mund të jetë mënyra e shprehjes së pakënaqësive appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



