Rama debat me fermerin: Nuk i mbyllim kufijtë për ty
Kryeministri Edi Rama u përfshi në një debat me një fermer gjatë takimit me përfaqësues të bujqësisë për Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026, ku u diskutuan problematikat e prodhimit, tregut dhe konkurrencës me produktet e importit. Rama theksoi se strategjia e qeverisë në bujqësi mbështetet te krijimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të […]
Kryeministri Edi Rama u përfshi në një debat me një fermer gjatë takimit me përfaqësues të bujqësisë për Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026, ku u diskutuan problematikat e prodhimit, tregut dhe konkurrencës me produktet e importit.
Rama theksoi se strategjia e qeverisë në bujqësi mbështetet te krijimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të agropërpunimit, të cilat sipas tij janë kyçe për rritjen e vlerës së prodhimit vendas. “Është domosdoshmëri strategjike të kemi frigoriferë, kapacitete për ruajtje dhe fabrika për përpunim, në mënyrë që asnjë gram prodhim të mos shkojë dëm dhe fermeri të jetë zot i çmimit në çdo kohë”, u shpreh Kryeministri.
Një fermer ngriti shqetësimin për mbrojtjen e prodhimit vendas nga mallrat e importuara, duke kërkuar ndërhyrje për kufizimin e tyre. Rama e quajti këtë kërkesë si të pamundur në një ekonomi të hapur.
“Nuk ekziston mbyllja e kufijve për produktet, vetëm sepse dikujt i leverdis. Këtë e kemi ndarë që në vitet ’90, kur zgjodhëm lirinë dhe ekonominë e tregut. Kufijtë nuk mbyllen”, tha Rama, duke i kërkuar fermerit të mos ndërpriste fjalën dhe të respektonte rregullin e diskutimit.
Kryeministri mohoi gjithashtu akuzat për favorizime apo monopol, duke theksuar se qeveria merr informacion nga terreni, e kryqëzon dhe e vlerëson para se të marrë vendime. Ai preku edhe çështjen e naftës për bujqësinë, duke pranuar se ka abuzime dhe se skema duhet korrigjuar, pasi një pjesë e përfituesve nuk e përdorin naftën për prodhim.
Takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve me fermerët në qarqe të ndryshme të vendit për hartimin e Skemës Kombëtare 2026, ndërsa Rama u largua më herët për shkak të një takimi me përfaqësues të huaj, duke lënë ministrat për të vijuar diskutimet me fermerët.

