Pas reagimit të gazetarit të Euronews, nis rikonstruksioni i banesës së familjes së Fatjonit 10-vjeçar në Korçë

Pas reagimit të gazetarit të Euronews, nis rikonstruksioni i banesës së familjes së Fatjonit 10-vjeçar në Korçë

Pak muaj më parë, gazetari i Euronews Albania, Xhensil Shkëmbi, solli në vëmendje historinë e Fatjonit, 10-vjeçarit me sindromën Down dhe epilepsi, i cili përballej edhe me probleme në ecje dhe komunikim.

Fatjoni jetonte me gjyshërit në një banesë në gjendje të rënduar, ndërsa familja përballej me vështirësi të mëdha ekonomike dhe mungesë të kushteve bazë të jetesës.

Pas publikimit të rastit dhe reagimit të gazetarit, institucionet dhe bizneset janë angazhuar për t’i ardhur në ndihmë familjes.

Sot, në banesën e familjes Braho ka nisur puna për rikonstruksionin e shtëpisë. Punimet po kryhen me kontributin e kompanive dhe qytetarëve që kanë ofruar materiale dhe punë vullnetare, ndërsa familja është mbështetur gjithashtu me shportë ushqimore dhe ndihmë ekonomike.

Rasti i Fatjonit ka sjellë një tjetër rezultat konkret të ndërthurjes së gazetarisë me problematikat sociale. Pas publikimit të historisë së tij në Euronews Albania dhe në rrjetet sociale, familja nuk është më e vetme përballë vështirësive.

Ndërkohë, një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me vetë Fatjonin. 10-vjeçari tashmë ndjek çdo ditë shkollën speciale, ku merr shërbime rehabilituese, kujdes shëndetësor dhe ushqimor.

Sipas familjarëve, gjendja e tij ka shënuar përmirësim dhe ai po përfiton nga trajtimi dhe kujdesi që merr çdo ditë.

Rikonstruksioni i banesës pritet të vijojë edhe me mobilimin dhe plotësimin e nevojave të tjera të familjes.

Nga një shtëpi që rrezikonte të shembej dhe një familje që përballej me mungesën e kushteve minimale, sot historia e Fatjonit po merr një tjetër drejtim.

Një denoncim, reagimi i institucioneve, ndihma e bizneseve dhe solidariteti i qytetarëve kanë bërë që një familje në nevojë të mos mbetet më vetëm.

The post Pas reagimit të gazetarit të Euronews, nis rikonstruksioni i banesës së familjes së Fatjonit 10-vjeçar në Korçë appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.