Rama reagon pas protestave në Tiranë: “Kushdo që ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë

Rama reagon pas protestave në Tiranë: “Kushdo që ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë

TIRANË, 15 tetor – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar përmes një video-mesazhi pas protestës së dhunshme në Tiranë, duke akuzuar opozitën për shkatërrimet dhe duke u distancuar nga studentët që kanë protestuar për kushtet në universitete.

Në videon e publikuar nga godina e dëmtuar e Kolegjit të Europës në Tiranë, Rama deklaroi se dëmet e shkaktuara nuk janë vepër e studentëve, duke theksuar se qeveria është e gatshme të ulet në bisedime me ta dhe të diskutojë kërkesat e tyre.

“Kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe s’mund të jenë duart e studentëve. Studentët janë e ardhmja dhe ata që shohin larg. Studentët janë të mirëpritur dhe me ta ne jemi gjithnjë gati të ulemi të flasim, të diskutojmë dhe të jepen zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë akuzoi opozitën se, sipas tij, po përpiqet të pengojë rrugën evropiane të Shqipërisë përmes dhunës dhe shkatërrimit të pronës publike dhe private.

“Këto janë duart e një opozite e cila me maska të verbërish përpara, me zjarr dhe me hekur, kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku Shqipëria nuk do të rikthehet më”, deklaroi ai.

Rama paralajmëroi gjithashtu se personat përgjegjës për dhunën dhe shkatërrimet do të përballen me ligjin.

“Kush mendon që ligji është larg, gabon. Gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë, sepse Shqipëria s’do të kthehet më kurrë pas”, tha kryeministri.

Protestat në Tiranë u shoqëruan me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, dëmtime të ndërtesave dhe zjarre. Studentët kanë ngritur shqetësime për kushtet në universitete, kostot e arsimit të lartë, mungesën e mbështetjes financiare dhe perspektivat e punësimit pas diplomimit.

Reagimi i Ramës vjen në një moment të tensionuar politik në Shqipëri, ndërsa mbetet për t’u parë nëse deklarata e tij do të pasohet nga hapa konkretë për plotësimin e kërkesave të studentëve./INA/


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.