Shtegtimi drejt lagunave bregdetare, flamingot ndalen në Liqenin e Pogradecit (VIDEO)

Liqeni i Pogradecit është kthyer vitet e fundit në një stacion të përkohshëm për flamingot gjatë shtegtimit të tyre sezonal. Këta shpendë mbërrijnë kryesisht gjatë vjeshtës dhe pranverës, duke e përdorur liqenin si pikë pushimi gjatë udhëtimit drejt habitateve të tjera.
“Flamingot vijnë kryesisht nga jugu i Evropës dhe Turqia, ku ndodhen koloni të mëdha të tyre. Pogradecin e përdorin si një vendqëndrim të përkohshëm, ku qëndrojnë nga disa ditë deri në një ose dy javë dhe më pas vijojnë drejt lagunave të Nartës dhe Divjakë-Karavastasë, ku kalojnë dimrin. Këto grupe janë kryesisht individë të rinj, të cilët e përdorin këtë territor si ndalesë gjatë udhëtimit të gjatë”, thotë Gani Bego, specialist i zonave të mbrojtura.
Një nga faktorët që favorizon qëndrimin e tyre është tërheqja e nivelit të ujit, e cila ekspozon pjesën ranore të bregut dhe krijon kushte të përshtatshme për gjetjen e ushqimit.
“Kjo pjesë e liqenit, nga ish-vila deri në Drilon, në këtë periudhë tërhiqet për shkak të mungesës së reshjeve gjatë verës apo edhe hapjes së portave në Strugë. Kjo pjesë ngjan me një lagunë të vogël dhe flamingot gjejnë ushqim, duke u përshtatur mjaft mirë në këtë territor. Prania e tyre mund të lidhet edhe me ndryshimet klimatike të viteve të fundit”, thotë ai.
Përtej veçantisë që i japin peizazhit të liqenit, flamingot janë kthyer edhe në një atraksion për turistët dhe vizitorët, të cilët ndalojnë përgjatë bregut për t’i fotografuar.
The post Shtegtimi drejt lagunave bregdetare, flamingot ndalen në Liqenin e Pogradecit (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



