Shtetasi amerikan denoncon ndalimin nga persona të maskuar në sheshin “Skënderbej” (FOTO)

Shtetasi amerikan Philip Gilpin Jr. ka denoncuar publikisht një incident të rëndë të ndodhur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku pretendon se është ndaluar fizikisht dhe është marrë në pyetje nga persona të veshur me të zeza e të pajisur me shkopinj gome, pa asnjë shenjë identifikuese.
Sipas dëshmisë së tij drejtuar Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 të mëngjesit, kur ai po kthehej në banesë pas një takimi pune. Pasi u ndalua për pak minuta të bisedonte me një grup të rinjsh, drejt tyre u afruan rreth dhjetë persona të maskuar, të cilët i kapën fizikisht, morën adoleshentët dhe e mbajtën atë nën pyetje. Gilpin Jr. sqaron se personat i morën telefonin për t’i kontrolluar përmbajtjen, i fotografuan dokumentin e identifikimit amerikan nga Bostoni dhe e mbajtën për rreth dhjetë minuta nën trysni përpara se ta linin të lirë.
Gjithashtu, shtetasi amerikan nënvizoi se gjatë asaj periudhe ishte dëshmitar i disa incidenteve të tjera ku grupe personash patrullonin sheshin kryesor dhe ndalonin çdo të ri që u dilte përpara. Lidhur me këtë ngjarje, ai bëri me dije se ka vënë menjëherë në dijeni Ambasadën e SHBA-së në Tiranë dhe se është në kontakt me përfaqësuesit e tij në Kongresin Amerikan në Uashington.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



