Skënder Hita: 132 efektivë të lënduar gjatë protestave, 5 vetëm sot, njëri me fraktura të shumta në nofull

Skënder Hita: 132 efektivë të lënduar gjatë protestave, 5 vetëm sot, njëri me fraktura të shumta në nofull

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë një bilanc të punonjësve të policisë të lënduar gjatë protestave, duke deklaruar se në total janë dëmtuar 132 efektivë në Tiranë, Shkodër dhe Lezhë.

Sipas tij, vetëm gjatë ditës së sotme janë lënduar pesë punonjës policie, njëri prej të cilëve ka pësuar fraktura të shumta në gojë dhe nofull. Hita ka dënuar sulmet ndaj efektivëve, duke renditur ndër sendet e përdorura nga protestuesit gurë, pllaka guri, sende metalike dhe bomba molotov.

“Ne kemi sekuestruar disa sende me të cilat protestuesit qëllojnë dhe janë dëmtuar shumë punonjës policie, vetëm sot janë dëmtuar 5 të tillë. Një ndër ta ka pësuar dëmtime të rënda në pjesën e gojën dhe në nofull pasi ka fraktura të shumta.

Nuk pajtohem as me protestuesit e lënduar por as me faktin që ka punonjës policie të lënduar po aq rëndë sa protestuesit. Në asnjë mënyra dhuna që ushtrohet ndaj punonjësve të policisë që janë në të drejtën e tyre për të mbrojtur institucionet, jetën, pronën dhe biznesin, nuk mund të sulmohen masivisht në mënyrë të paprecedentë.

Kemi një numër shumë të madh të policëve të lënduar e të plagosur.

Dua të theksoj se, gjatë ditëve të tubimeve, punonjësit e Policisë janë sulmuar me gurë, pllaka guri, sende metalike, zara metalikë të hedhur me llastikaë, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe sende të tjera.

Si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të Policisë, kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër dhe Lezhë, janë dëmtuar 132 punonjës policie. Disa prej tyre vijojnë të marrin ndihmë mjekësore në spital.

Në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si dhe të mbrojtjes së jetës dhe pronës, u bëj thirrje personave që kryejnë këto akte dhune të ndalojnë menjëherë veprimet e tyre të paligjshme. Njëkohësisht, u bëj thirrje qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, të cilët nuk përfaqësojnë studentët dhe aspiratat e tyre”, ka thënë Hita.

The post Skënder Hita: 132 efektivë të lënduar gjatë protestave, 5 vetëm sot, njëri me fraktura të shumta në nofull appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.