Tensione te Ministria e Arsimit, studentët përzënë deputetët e PD-së nga protesta (VIDEO)

Tensione te Ministria e Arsimit, studentët përzënë deputetët e PD-së nga protesta (VIDEO)

Momente tensioni janë regjistruar përpara Ministrisë së Arsimit, pasi deputetët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike iu bashkuan protestës së studentëve. Këta të fundit kanë kundërshtuar praninë e përfaqësuesve të opozitës dhe i kanë larguar nga tubimi, ndërsa mes dy të rinjve ka pasur edhe një debat.

Momente tensioni janë regjistruar këtë të shtunë përpara Ministrisë së Arsimit, pasi deputetët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike iu bashkuan protestës së studentëve.

Prania e përfaqësuesve të opozitës ka shkaktuar reagime nga protestuesit, të cilët kanë refuzuar përfshirjen e figurave politike në tubim dhe kanë kërkuar largimin e deputetëve demokratë.

Gjatë këtyre momenteve, dy të rinj kanë debatuar me njëri-tjetrin, ndërsa pjesëmarrës të tjerë kanë theksuar se protesta është qytetare dhe nuk përfaqëson asnjë forcë politike.

Deputetët e Partisë Demokratike, mes tyre Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj, kishin nisur marshimin nga selia blu, së bashku me mbështetësit e opozitës.

Pasi qëndruan për rreth 30 minuta përpara Kryeministrisë, ata vijuan drejt Ministrisë së Arsimit, ku po zhvillohej protesta studentore. Në marshim nuk mori pjesë kryetari i PD-së, Sali Berisha. Megjithatë, mbërritja e tyre u prit me kundërshtime nga protestuesit, të cilët kërkuan që deputetët të largoheshin nga tubimi.

Studentët vijojnë prej tri javësh protestat kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa deklaratat e sotme të pjesëmarrësve tregojnë kundërshtimin e tyre ndaj përfshirjes së figurave partiake në protestë.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.