LIVE-Tirana në kaos, digjen institucione dhe biznese private, policia gaz lotsjellës ndaj protestuesve

LIVE-Tirana në kaos, digjen institucione dhe biznese private, policia gaz lotsjellës ndaj protestuesve

21:00 – Një situatë e tensionuar është krijuar mbrëmjen e së enjtes në zonën pranë Tajvanit, te Parku Rinia ku u zhvendosën një pjesë e protestuesve.

Policia ka tentuar disa herë të ndërhyjë për të shoqëruar protestuesit të cilët vazhdimisht kanë qëlluar me gur dhe sende të të forta në drejtim të efektivëve.

Ndërkohë, edhe policia ka hedhur gurë mbrapsht ndaj protestuesve, por është detyruar të zmbrapset.

20:23 Protestuesi i lënduar dhe me pranga paraqitet në Spitalin e Traumës

Një protestues i lënduar gjatë protestës në Tiranë është paraqitur me pranga në Spitalin Universitar të Traumës, ku po marrin trajtim mjekësor edhe persona të tjerë të lënduar gjatë përplasjeve të ditës së sotme. I lënduari shihet gjithashtu i shoqëruar nga dy efektivë policie në krah.

Sipas njoftimit zyrtar të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” , në këtë spital nuk ka aktualisht persona të lënduar që po marrin trajtim mjekësor.

Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës janë trajtuar gjithsej 26 persona, mes tyre efektivë policie, protestues dhe kalimtarë të rastit.

Shpërndaje

19:46 A do të krijojnë një forcë të re politike? Studentja Emi Meçani tregon kërkesat e protestuesve

E ftuar në një lidhje live në “Tonight” me Mirela Milorin ishte studentja Emi Meçani, e cila tha se kërkesa kryesore e studentëve protestues është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhjet e parakohshme me një Kod të ri Zgjedhor.

“Kam qenë në protestë që ditën e parë dhe do të jem deri në ditën e fundit. Jemi të gjithë të lodhur, nuk mundemi më të jetojmë. Realisht, e gjithë jeta e Shqipërisë dhe e Tiranës po na mbyt të gjithëve, si studentë dhe si qytetarë. Ne kërkojmë dorëheqjen e kryeministrit dhe të kalojë vendi në zgjedhje elektorale me një Kod të ri Zgjedhor. Sepse nuk ka më sens për ne të ulemi me kryeministrin në një tavolinë me kërkesa që ne kemi tetë vjet që ia kemi kërkuar. I kemi kërkuar konvikte, bursa studimi, ushqim, stresim për studentët që vijnë nga rrethet. Jemi lodhur të gjithë duke shkuar atje, duke iu lutur atij të na i japë. Nuk ka më sens që ne t’i lutemi kryeministrit. Ne do të vazhdojmë derisa ai të japë dorëheqjen. Nëse ai nuk e jep dorëheqjen, jam e sigurt që situata do të përkeqësohet”, tha studentja Emi Meçani.

E pyetur nga moderatorja Mirela Milori nëse studentët do të krijojnë një formacion të ri politik, Meçani tha se nuk ka informacion në lidhje me këtë.

Shpërndaje

19:42 “Rama do e përdorë dhunën e protestës”, Hasimja: Zgjidhja është të dorëhiqet!

Pedagogu Ermal Hasimja tha në një intervistë për Euronews Albania se zgjidhja e vetme në situatën aktuale me protestën në Tiranë është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij kryeministri Rama do ta përdorë dhunën e të rinjve gjatë 3 ditëve të protestës në Tiranë në favor të tij.

“Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, nuk mendoj se është aq e lehtë të anashkalohet me masa të tipit shkarkimi apo zëvendësimi i një ministri. Rama do t’i përdorë këto, është duke e vënë theksin te elementi i dhunës. Ajo që është zgjidhja dhe do ta qetësonte menjëherë situatën është dorëheqja. Kjo është e thjeshtë dhe nuk do të ishte rasti i parë, paçka se në Shqipëri apo jashtë, kur një kryeministër sheh që vendi rrezikon, për hir të paqes sociale mund të japë dorëheqjen, duke pasur parasysh se nuk janë 10-20 veta që po e kërkojnë këtë dhe jo 10-20 veta me lule”, tha Hasimja.

Shpërndaje

19:30 QSUT përditëson gjendjen e të lënduarve nga protesta: 26 persona të trajtuar, dy efektivë nën kujdesin mjekësor

QSUT nëpërmjet një njoftimi zyrtar ka  përditësuar gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës, ora 19:15.

Në deklaratë thuhet se në Spitalin Universitar të Traumës gjatë ditës së sotme janë trajtuar 26 të lënduar: efektivë policie, protestues e kalimtarë. Janë nën kujdesin mjekësor dy efektivë policie. Efektivi me inicialet D.K. është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.

Efektivi me inicialet F.R., i ardhur nga Shkodra,  i është nënshtruar ndërhyrjejes kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë, nga ku pritet reagimi.

Gjithashtu, 2 protestues janë nën kujdesin mjekësor dhe paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore, dhe stabël për momentin.

Pak minuta më parë kanë mbërritur 3 kalimtarë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas njoftimit, në QSUT nuk ka asnjë të lënduar aktualisht.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.