LIVE/ Tirana në Flakë! Molotovë dhe gurë drejt Kryeministrisë

Protesta e opozitës në Tiranë është përshkallëzuar në përplasje të forta pranë Kryeministrisë. Protestuesit kanë hedhur gurë dhe molotovë në drejtim të godinës, ndërsa dëgjohen thirrjet “Digje, digje!”. Punonjës të Gardës së Republikës kanë hedhur gaz lotsjellës nga tarraca e Kryeministrisë drejt protestuesve.
Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë në disa fronte, ndërsa forcat speciale dhe efektivët e njësisë “Shqiponja” janë pozicionuar pranë institucioneve.
“Efektivë Shqiponja dhe të FNSH-së po shkojnë drejt kryeministrisë. Situata vijon të jetë kaotike te kryeministria. Nga informacionet e minutave më parë, kryeministri Edi Rama ka qenë në zyrën e tij, ku sot gjatë ditës mblodhi kabinetin qeveritar dhe anuloi mbledhjen e përbashkët të grupit parlamentar të Partisë Socialiste me qeverinë e tij. Kryeministria është blinduar orë më parë. Zoti Rama dhe ministrat kanë hyrë vetëm nga pas kryeministrisë në asnjë prej hyrjeve të tjera të godinës së kryeministrisë sot. Nuk e dimë në këto çaste nëse vijon ende të jetë në godinë apo jo”.
Gazetari i A2 CNN, Anesti Bajramemaj deklaroi se përplasjet janë shtrirë edhe në rrugën “Ismail Qemali” dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit kanë dëmtuar pronën publike dhe kanë tentuar të krijojnë barrikada me vazo lulesh dhe blloqe betoni.
“Ka dhe një front tjetër, një pjesë e qytetarëve tentojnë të sulmojnë nga ana tjetër e kryeministrisë në rrugën Ismail Qemali. Ndërkohë gazi lotsjellës ka mbuluar të gjithë bulevardin, dëshmorët e kombit dhe protestuesit, pjesa më e madhe e tyre po largohen. Një pjesë e tyre vijojnë të sulmojnë edhe lulishten e piramidës ku mjeti ujëhedhës duket se ka të pamundur që të arrijë. Shpërthimet e herëpashershme janë tymuese, molotovë dhe fishekëzjarre. Nga punonjësit e gardës në Tarracë është hedhur gaz lotsjellës. Ka ndërhyrë edhe garda kundër protestuesve”.
Më herët, protestuesit dëmtuan godinat e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme, ndërsa janë raportuar edhe vatra zjarri në disa pika të bulevardit. Gjatë përplasjeve, një protestues është parë i lënduar, ndërsa qytetarë të tjerë i kanë ofruar ndihmën e parë. (A2 Televizion)
Situata e tensionuar, sulme dhe zjarr ndaj ministrive
Situata në kryeqytet bëhet gjithnjë e më kritike. Pranë zonës qendrore të Tiranës janë regjistruar dy vatra zjarri, të cilat kanë shkaktuar një re të madhe tymi të zi.
Shtëllungat e dendura të tymit janë përhapur në të gjithë zonën përreth, duke u dalluar qartë edhe nga distanca të largëta.
Pas incidenteve të regjistruara pranë Ministrisë së Arsimit, protestuesit janë drejtuar edhe drejt Ministrisë së Brendshme, ku një grup i konsiderueshëm personash ka tentuar të hyjë me forcë në ambientet e institucionit.
Sipas raportimeve, protestuesit kanë mësyrë drejt hyrjes kryesore të godinës, duke u përballur me efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët deri më tani kanë arritur të pengojnë hyrjen e tyre.
Situata është shoqëruar me hedhje gurësh dhe mjetesh piroteknike në drejtim të ndërtesës, ndërsa forcat e rendit po përpiqen të mbajnë situatën nën kontroll.
Ndërkohë, raportohet se policia po vijon me arrestimin e personave të përfshirë në incidentet e dhunshme.
Mes protestuesve janë dëgjuar edhe thirrje për të vijuar marshimin drejt Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse turma do të zhvendoset drejt këtij institucioni.
Tensionet pranë Ministrisë së Brendshme shënojnë një tjetër episod të protestës së sotme në kryeqytet, e cila është shoqëruar me përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e private.
Protesta në Tiranë është zhvendosur drejt Ministrisë së Ekonomisë, ku protestuesit kanë thyer derën e godinës dhe kanë hyrë në ambientet e brendshme të institucionit.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, protestuesit kanë nxjerrë orendi nga ambientet e ministrisë dhe u kanë vënë flakën.
Situata është tensionuar edhe jashtë godinës, ku janë djegur kosha mbeturinash dhe tabela reklamuese.
Zhvillimet e fundit shënojnë një tjetër përshkallëzim të protestës, e cila është shoqëruar me akte dhune dhe dëmtime të pronës.
Bilanci i të lënduarve dhe dëmeve
Gjashtë efektivë policie kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së zhvilluar të martën para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ndërsa Policia ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht 49 të tjerë, nën dyshimet për përfshirje në akte dhune dhe dëmtime të pronës publike e private.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, gjatë protestës së 13 tetorit, disa pjesëmarrës të maskuar kanë hedhur gurë, sende të forta, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të efektivëve të policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private.
Si pasojë e incidenteve, janë dëmtuar kangjellat, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe sinjalistika rrugore dhe reklamat përgjatë trotuareve. Dëme janë shkaktuar edhe në një institucion mikrofinanciar dhe në fasadën prej xhami të një banke të nivelit të dytë.
Sipas policisë, në rrugën “Ded Gjon Luli” është thyer me forcë njëra prej dyerve të godinës së Bashkisë së Tiranës, ndërsa në katin e parë të saj është vënë zjarr.
Të arrestuarit dyshohen për disa vepra penale, përfshirë goditjen për shkak të detyrës, prishjen e rendit dhe qetësisë publike, shkatërrimin e pronës, shkatërrimin e pronës me zjarr, kundërshtimin e punonjësve të rendit publik dhe shkeljen e rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse.
Policia bën të ditur se hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me qëllim identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në incidentet e dhunshme dhe dokumentimin e plotë të ngjarjeve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Përcjell INA
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



