Transferimi i Veliajt në Fier, Balla: Të verifikohet procedura, çështja të trajtohet sipas standardeve të BE-së

Transferimi i Veliajt në Fier, Balla: Të verifikohet procedura, çështja të trajtohet sipas standardeve të BE-së

Transferimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në paraburgimin e Fierit ka shkaktuar debate brenda Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Pas diskutimeve të zhvilluara këtë të enjte, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se rasti duhet të verifikohet nga institucionet përgjegjëse dhe të trajtohet në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e personave të paraburgosur.

Debati është nxitur nga deklaratat e Veliajt se nuk i është vënë në dispozicion urdhri zyrtar për transferimin e tij. Gjatë mbledhjes së grupit socialist, Bledi Çuçi, kryetar i Komisionit për Çështjet e Brendshme, i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, të bëjë publik dokumentacionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve mbi të cilin është mbështetur transferimi.

Balla theksoi se ankesat e kësaj natyre nuk trajtohen në bazë të raporteve personale, por si pjesë e detyrimit institucional për të garantuar respektimin e të drejtave.

“Jo për shokun tim Erion Veliaj, por për këdo tjetër, kushdo që më ka dërguar si deputet një ankesë, padyshim që ia kam kaluar ministrave të Drejtësisë. Rasti në fjalë nuk lidhet me ministrin Gogu. Edhe nga ish-Presidenti Ilir Meta kam marrë ankesa”, deklaroi Balla.

Ai bëri të ditur se për verifikimin e çështjes nuk do të angazhohen vetëm Avokati i Popullit dhe ministri i Drejtësisë. Sipas tij, ai i ka kërkuar edhe Komisionit të Mbikëqyrjes që ta ndjekë çështjen në kuadër të kompetencave të tij.

“Kam besim që edhe çështja në fjalë do të duhet të trajtohet në kuadër të procesit të integrimit në BE, ku duhet të plotësohen të gjitha kriteret që lidhen me trajtimin e të paraburgosurve”, u shpreh kreu i grupit parlamentar socialist.

The post Transferimi i Veliajt në Fier, Balla: Të verifikohet procedura, çështja të trajtohet sipas standardeve të BE-së appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.