Urimet e krerëve politik në Maqedoninë e Veriut për

Krerët politik në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarëve mysliman në vend festën e Fitër Bajramit. Mesazhi i përgjithshëm i tyre në këtë ditë festive është që të mbizotërojë solidariteti, toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë, bashkëjetesa dhe mirësia te të gjithë, mirëqenia ekonomike dhe ngrohtësia familjare le të sundojë në çdo shtëpi në këtë ditë të madhe, […]

Urimet e krerëve politik në Maqedoninë e Veriut për

Krerët politik në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarëve mysliman në vend festën e Fitër Bajramit. Mesazhi i përgjithshëm i tyre në këtë ditë festive është që të mbizotërojë solidariteti, toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë, bashkëjetesa dhe mirësia te të gjithë, mirëqenia ekonomike dhe ngrohtësia familjare le të sundojë në çdo shtëpi në këtë ditë të madhe, njofton Portalb.mk.

Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova ka uruar që ditët festive besimtarëve myslimanë t’ju sjellin lumturi, gëzim, dashuri, harmoni dhe paqe.  Kurban Bajrami, potencon presidentja në urim, thekson bamirësinë, dhurimin dhe solidaritetin, duke na frymëzuar për vepra humane dhe mbështetje për të gjithë ata që kanë nevojë.

“Të dhurojmë dhe të ndihmojmë, të jemi mbështetja e njëri-tjetrit, së bashku në të mirë dhe të keqe, pa dallim feje, etnie, gjinie apo çfarëdo përkatësie dhe të punojmë për prosperitetin e atdheut tonë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, thotë Siljanovska Davkova në urim.

Kryeministri Talat Xhaferi, ka uruar besimtarët që të kenë shëndet të mirë, zemërgjerësi, solidaritet dhe bërje të
veprave të mira.

“Kam kënaqësinë që të shpreh urimet e mia të sinqerta me rastin e festës së madhe myslimane, Kurban Bajrami, dhe të shpreh gëzimin që kjo ditë e shënuar na gjen gjallë dhe shëndoshë. Ju uroj juve personalisht, anëtarëve të Rijasetit, myftinjve, pjesëtarëve të Bashkësisë Fetare Islame si edhe të gjithë besimtarëve të besimit islam, mbi të gjitha shëndet të mirë, zemërgjerësi, solidaritet dhe bërje të veprave të mira të cilat do ua fisnikërojnë shpirtin dhe do i japin vlerë, motiv dhe cilësi jetës suaj. Njëherazi, uroj që haxhilerët që për momentin i bëjnë lutjet dhe respektin
e duhur në rrugën e shenjtë të haxhit, të drejtojnë lutjet edhe për të gjithë qytetarët dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, shtetin tonë të përbashkët, për të pasur një vit të mbarë, në paqe, në mirëqenie dhe me prosperitet të dukshëm në çdo fushë të jetës shoqërore dhe ndërkombëtare. Krahas lutjeve, të gjithë së bashku të bëjmë atë që kemi mundësi për të siguruar paqe, mirëqenie dhe jetë të sigurt për ato që në këtë kohë janë të prekur nga luftërat, sëmundjet dhe fatkeqësitë natyrore, sepse jeta është e shenjtë dhe të gjithë duhet ti gëzohen saj njësoj”, thotë Xhaferi në urim.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në urimin deri te besimtarë myslimanë potencon se festa Bajramit të Kurbanit është ndër festat më kuptimplote që flet me historikun e saj të flijimit të më të dashurës dhe më të shtrenjtës për idealet më të larta e sublime.

“Ngjarja e babait të monoteizmit, Ibrahimit, me të birin e tij, Ismailin, është jo vetëm skena më prekëse në shiritin e historisë, por është edhe ngjarja më mbresëlënëse në kuptim të gatishmërisë së njeriut për të flijuar dhe për t’u flijuar për një premtim dhe për një vlerë të përtejme. Pas tyre krejt historia është ndërtuar me personazhe që kanë flijuar e janë flijuar në emër të një ideali dhe një besimi. Ndryshe kjo botë nuk do të ishte kjo që është dhe ne nuk do të ishim këtu ku jemi. E duke i ndërmendur të gjithë ata etër të vendit tonë e të kombit tonë, që me veprën e tyre ose, shprehur me gjuhën e kësaj feste, me kurbanin e tyre na kanë mundësuar të kemi një jetë të dinjitetshme e paqësore, uroj që kjo festë t’ju ketë gjetur pranë sofrave familjare, duke i uruar e duke i përqafuar të dashurit tuaj, duke u kujdesur për nevojtarët e duke u solidarizuar me ata që nuk kanë nevojë vetëm për bukë, por edhe për buzëqeshje.
E gëzofshi për jetë të jetëve Bajramin e Kurbanit!”, thotë Gashi në urim.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka uruar që besimtarët ta kalojnë festën e Kurban Bajramit në frymën e bujarisë, duke ju ndihmuar atyre të cilëve ju nevojitet duke i theksuar humanitetin njerëzor dhe kujdesit në këto ditë festive.

“Kjo festë e madhe është përkujtues i ekzistencës njerëzore, si dhe rëndësisë së madhe të besimit, mirëkuptimit dhe tolerancës së ndërsjellë si kushte esenciale për bashkëjetesë dhe paqe. Kështu që ju ftoj të gjithëve të fillojmë së bashku, duke i tejkaluar bashkërisht të gjithë problemet, që ta ndërtojmë Maqedoninë mbi vlerat dhe parimet evropiane. Ka ardhur koha që së bashku të ndërtojmë themele më të forta për një jetë më të mirë standard për çdo qytetar pa dallim etnie apo feje përkatësinë, themelet për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit tonë”, thotë Mickoski.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka potencuar se festat tona të Bajramit janë çaste të freskisë shpirtërore, çaste reflektimi mbi madhështinë e veprës së mirë konform vlerave më të larta të besimit, respektit dhe solidaritetit mes njëri – tjetrit.

“Dita e sotme festive le të jetë frymëzim për praktikimin e veprave të mira, shtrirjen e dorës së ndihmës dhe mbështetjes, hapërimit drejt horizonteve të përparimit! Qofshin gjithmonë të bekuara vatrat tuaja familjare nga mirësitë e Zotit! Gëzuar Kurban Bajramin!”, thotë Ahmeti.

Kryetari i Alternativës, Bekim Sali në urimin thekson se mesazhi i këtij Bajrami është thirrja se asnjë sukses nuk ndodh nëse ne nuk jemi të gatshëm të flijojmë diçka nga vetja jonë ose, më saktë, diçka që e duam shumë në jetën tonë.

“Bajrami i Kurbanit është festë që vjen të na e rikujtojë se vetëm ata që flijojnë në fakt edhe jetojnë. Kjo botë, e mbushur plot me flijues, si personazhet e kësaj feste – Ibrahimi e Ismaili, por edhe si Adem Jashari i mjedisit sonë, i ka regjistruar vetëm ata që kanë parakaluar dhe kanë lënë gjurmë flijimi në të. Prandaj mesazhi i këtij Bajrami është thirrja se asnjë sukses nuk ndodh nëse ne nuk jemi të gatshëm të flijojmë diçka nga vetja jonë ose, më saktë, diçka që e duam shumë në jetën tonë. ‘Buzëqeshja është lëmoshë’ është një nga urtësitë e besimit tonë. Andaj uroj që ky Bajram t’ju ketë zbardhur me flladin e buzëqeshjes, dashurisë, solidaritetit e kujdesit për ata që sot duan të festojnë njësoj si ne”, potencon Sali në urim.