Vangjeli: Transferimi i Veliajt në Fier lidhet me deklaratat për Serbinë, ai ka nisur të drejtojë gishtin edhe ndaj Ramës

Transferimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit ka lidhje të drejtpërdrejtë me qëndrimet e tij të fundit publike mbi protestat në Serbi, dyshon opinionisti Lorenc Vangjeli.
Në debatin politik të së enjtes në Top channel, Vangjeli tha se klasifikimi i procedurës si “sekret shtetëror” përbën një shkelje dhe paqartësi serioze, pasi një vendim i tillë mund të merret vetëm me autorizim të posaçëm nga kryeministri ose presidenti.
Sipas analistit, ky transferim erdhi menjëherë pas deklaratës së Veliajt për zhvillimet në Serbi ku paralelja me Shqipërinë ishte e qartë.
Më tej, ai zbuloi se Veliaj ka nisur të drejtojë gishtin e përgjegjësisë edhe ndaj kryeministrit Edi Rama – përveç zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e konsideruar atë ndër shkaktarët kryesorë të goditjes së tij politike e gjyqësore.
Vangjeli pretendoi se nuk ka pasur asnjë sinjal zyrtar për kërcënim të sigurisë së Veliajt, ndërsa tha se në ambientet e reja ai ndodhet në të njëjtin korridor me eksponentë të rrezikshëm kriminalë.
Erion Veliaj kishte një mandat të tretë si kryebashkiak kur u arrestua në shkurt 2025 nga SPAK. Ai u shkarkua nga detyra me vendim të Këshillit Bashkiak pas kërkesës së Edi Ramës. Veliaj ankimoi vendimin dhe gjykata vendosi ta pranojë.
Çfarë tha Veliaj për Serbinë:
Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!
Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate.
Urime të përzemërta edhe shqiptarëve tanë në Serbi, të cilët, sipas projeksionit aktual, e rrisin përfaqësimin e tyre nga një në dy mandate. Një zë më i fortë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi!
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



