Vizita në Mbretërinë e Bashkuar/ Trump i thur “lavde” marrëdhënieve amerikano-britanike
Presidenti amerikan, Donald Trump i bëri një homazh të përzemërt marrëdhënies mes Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar. Udhëheqësi amerikan gjithashtu vlerësoi shumë mbretin Charles III, i cili e përshkroi si ”një njeri shumë, shumë të veçantë”, duke renditur një ”katalog” të pasioneve të tij nga mjedisi te arkitektura, gjatë një banketi të organizuar për nder [...]Read More...

Presidenti amerikan, Donald Trump i bëri një homazh të përzemërt marrëdhënies mes Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar. Udhëheqësi amerikan gjithashtu vlerësoi shumë mbretin Charles III, i cili e përshkroi si ”një njeri shumë, shumë të veçantë”, duke renditur një ”katalog” të pasioneve të tij nga mjedisi te arkitektura, gjatë një banketi të organizuar për nder të tij për të shënuar vizitën e dytë historike shtetërore të Trump.
Ai veçoi djalin dhe trashëgimtarin “vërtet të mrekullueshëm” të Charles, princin William të Uellsit, si edhe princeshën “e bukur” të Uellsit, të ulur pranë tij.
Trump u tha të ftuarve, midis të cilëve ishte edhe manjati i medias Rupert Murdoch, se ”na bashkon historia dhe besimi, dashuria dhe gjuha dhe lidhjet transcendente të kulturës, traditës, prejardhjes dhe fatit”.
“Jemi si dy nota në një akord ose dy vargje të së njëjtës poezi, secila e bukur më vete, por në të vërtetë e destinuar të luhet së bashku. Lidhja e farefisnisë dhe identitetit midis Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar është e paçmuar dhe e përjetshme”, theksoi ai.
Një sërë mirëseardhjesh, momentesh prekëse dhe shfaqjesh ceremoniale spektakolare u mbajtën për presidentin dhe zonjën e parë të SHBA-së Melania Trump gjatë ditës së hapjes së vizitës shtetërore, ndërsa familja mbretërore përdori “diplomacinë e saj të butë” për të forcuar lidhjet e Mbretërisë së Bashkuar me një nga aleatët e saj më të qëndrueshëm.
William dhe Kate u vendosën në fillim të ”ofensivës” mbretërore të sharmit për të përshëndetur të parët Trump kur ata mbërritën në kështjellën Windsor me helikopter.
Rreth 1 500 trupa në total u përfshinë në ngjarjet ushtarake ceremoniale gjatë gjithë ditës, pothuajse dyfishi i atyre në detyrë për vizitën e fundit shtetërore të presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Udhëheqësi amerikan kishte një lidhje me Mbretëreshën Elizabeth II, e cila priti vizitën e tij të parë shtetërore, dhe gjatë pasdites ai vendosi një kurorë në varrin e saj, i shoqëruar nga Zonja e Parë.
Në fjalimin e tij, Trump e përshkroi vizitën e tij të dytë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar si një “privilegj të veçantë”, duke shtuar më vonë se “ky është me të vërtetë një nga nderimet më të larta të jetës sime, një respekt i tillë për ju dhe një respekt i tillë për vendin tuaj”.
Fjalët e presidentit u përsëritën nga Charles, i cili foli për “lidhjen e qëndrueshme midis dy vendeve tona të mëdha” që është “quajtur prej kohësh ”e veçantë”.
“Megjithatë, sot ne festojmë një marrëdhënie midis dy vendeve tona që me siguri as Uashingtoni dhe as mbreti George III nuk mund ta kishin imagjinuar. Oqeani mund të na ndajë ende, por në shumë mënyra tani jemi më të afërm”, theksoi ai.
Charles mbajti fjalimin e parë të mbrëmjes dhe vlerësoi “angazhimin personal të presidentit për të gjetur zgjidhje për disa nga konfliktet më të vështira në botë, me qëllim sigurimin e paqes”.
Charles theksoi shqetësimet e tij të kahershme në lidhje me mjedisin ndërsa foli pranë presidentit, i cili në të kaluarën e ka quajtur ndryshimin e klimës një “mashtrim kinez” dhe njoftoi vendimin e tij për të tërhequr Amerikën nga Marrëveshja e Klimës e Parisit në fillim të mandatit të tij të parë, në vitin 2017.
Ndërkohë, në Londrën qendrore, mijëra njerëz marshuan në protestë kundër vizitës së dytë shtetërore të udhëheqësit të SHBA-së. Disa protestues mbanin pankarta që shkruanin “Jo racizmit, jo Trumpit”.