Vjeshtë e “nxehtë” në SPAK, dosjet e mëdha të politikës që presin gjykimin

Vjeshtë e “nxehtë” në SPAK, dosjet e mëdha të politikës që presin gjykimin

Nga Blerina Cene

Shtatori duket se erdhi më herët në Prokurorinë Speciale. Bashkë me të edhe shqetësimet e subjekteve të saj. Një akuzë e re, një dosje voluminoze dhe një personazh që i ka shkrirë të dyja atributet e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion doli në bankën e akuzës pas tetë muajsh arrati.

Ergys Agasi ra në gjurmët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Policisë së Shtetit mbrëmjen e 26 gushtit në një operacion të beftë që do t’i kushtonte 39-vjeçarit lirinë. Por arresti nuk ishte i vetmi lajm i hidhur për të shumëkërkuarin.

Brenda mureve të Gjykatës së Posaçme, kur iu komunikua masa shtrënguese e arrestit, atij iu zbulua nga prokurori se po hetohej edhe për veprën penale të korrupsionit.

Deri në këtë moment, Agasi bëhet kështu një ishull i izoluar, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar takohen në të njëjtën dosje. Dy botë për të cilat SPAK-u u krijua për t’i hetuar, tashmë përplasen në një çështje të vetme, atë të AKSHI-t.

Dhe struktura e akuzave ndaj tij e bën këtë një nga dosjet më komplekse të sezonit të ri të drejtësisë, edhe pse ende nën hetim.

“Rasti në fjalë është një rast shumë interesant, se përfshihen të dyja kompetencat e Gjykatës së Posaçme, edhe korrupsioni, edhe krimi i organizuar. Pra, ka një ndërthurje të mënyrës se si funksionojnë nganjëherë krimi i jakave të bardha, që do ta quajmë atë që e quajnë prokurorët “krim inteligjent” dhe krimi i organizuar”, thotë avokati Kreshnik Myftari.

Në fund, qëllimi është i njëjtë.

“Të përfitojmë, të fitojmë sa më shumë, në çfarëdo lloj mënyre, kudo, pa asnjë lloj diferencimi”, thotë Myftari.

Dosja Partizani, ndër më të hershmet e Strukturës së Posaçme, e kallëzuar nga kreu i Grupit Parlamentar Socialist iu nënshtrua gjykimit majin e vitit të kaluar. Siparin e dëshmitarëve siç ligji e kërkon e ngriti pikërisht kallëzuesi, Taulant Balla që i ngarkon kryeministrit të pandehur të kohës, Berisha, nxitjen për të nxjerrë në një kohë rekord të klubit sportiv Partizani nga plani i përhapjes së ushtrisë në 2008.

“I kam qëndruar atij kallëzimi penal të bërë në nëntor 2020. Drejtësia vonon dhe nuk harron”, u shpreh Balla.

Por që drejtësia të vihet në vend dhe e vërteta të zbardhet një herë e përgjithmonë për fatin e klubit të dikurshëm “Partizani” Gjykata e Posaçme kërkon dëshminë e kryeminstrit aktual, Edi Rama.

Kërkesa e bërë nga ekipi ligjor i Sali Berishës dhe e aprovuar nga gjyqtarja e posaçme, Elsa Ulliri do të vendosë në një përballje historike dy nga njerëzit më të pushtetshëm në vend.

Ballafaqimi i dy liderve përballë togave të zeza pritet të ndryshojë kursin e seancave të zakonshme në godinën e qelqtë të Gjykatës Antikorrupsion.

Rrëfimi i kryeministrit i përket një epoke tjetër kur ai shërbente si kryetar i bashkisë së Tiranës e që sipas avokatëve të Berishës kishte në dorë, planin urbanistik, përfshirë edhe atë të zonës ku shtrihej ish-klubi sportiv Partizani.

Njëzëri ata thonë se Edi Rama kur ka qenë kryetar i bashkisë së Tiranës, përpiloi bazën ligjore për ndryshimin e destinacionit të truallit nga klub sportiv në shesh ndërtimi.

Por a mund t’i shmanget kryeministri thirrjes së tij nga gjykata antikorrupsion?

“Ligjërisht, nuk ekziston mundësia, sepse gjykata e ka vlerësuar, në momentin që mbrojtja e ka paraqitur emrin e kryeministrit në cilësinë e dëshmitarit, se nga dëshmia e tij duhet të jepen të dhëna që do t’i shërbejnë hetimit gjyqësor. Nëse do të kemi të papritura apo veprime procedurale për të mos u paraqitur në cilësinë e dëshmitarit, gjykata ka të drejtën që të bëjë shoqërim të detyrueshëm”, thotë avokati Dritan Jahaj.

Megjithatë mosha e ish-shefit të ekzekutivit është në favorin e tij. Nëse shpallet fajtor ai do të përjashtohet nga izolimi në qeli.

“Ligji parashikon pezullimin e ekzekutimit. Nëse do të ketë një vendimmarrje dënimi për zotin Berisha, ai ka të drejtën që atë dënim ta vuajë në një nga mënyrat alternative që parashikon ligji”, thotë Jahaj.

Por të njëjtin fat nuk e ka dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi për të cilin SPAK pretendon se ishte përfituesi nga privatizimi i kompleksit. Kështu, beteja e vjeshtës së re, nuk do të jetë vetëm për fajësinë apo pafajësinë e të pandehurve, por edhe për forcën e provave që SPAK-u do të vendosë në tryezën e gjykatës. Por kush vjen i pari individi apo fakti?

“Mendoj që ka pasur një pompozitet të madh për emrat që mbartin këto dosje, po në fund të fundit nuk e di sa thelb ka. Te dosja Partizani nuk e di sa thelb ka, te dosja CEZ-DIA nuk e di sa thelb ka. SPAK duhet të justifikojë veten për privilegjet që ka”, thotë avokati Altin Kazia.

Nga ana e tij, SPAK ndër vite ka ngritur shqetësimin për vështirësinë me të cilën haset nga institucionet, të cilat nuk referojnë krime të dyshuara të natyrës korruptive. Kritik, eksperti Myftari, thotë se parandalimi është i vetmi mekanizëm që buxheti i shtetit të mos shkojë në xhepin e gabuar.

“Këtu ka një neglizhencë të organeve ligjzbatuese. Se zakonisht një procedurë korruptive kuptohet që në momentin e çeljes së një fondi ose të subjekteve aplikuese të përfitimit. Ai mund t’i vendosë në hetim që në atë moment. Nuk ka pse e vendos në hetim pas. Zbulueshmëria dhe parandalimi mund të bëhen paraprakisht”, thotë Kreshnik Myftari.

Për dosjen “Meta” një nga funksionarët më të lartë të shtetit shqiptar, me ish bashkëshorten e tij, për korrupsionin e dyshuar mund të rrezikojnë nga 4 deri në 12 vjet heqje lirie, secili, nëse dënohen nga gjykata.

Por nëse ish- ligjvënësja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gëzon lirinë, në masën e sigurisë detyrim paraqitje, ish-bashkëshorti i saj është vënë në izolim prej 21 tetorit të 2023 në paraburgimin 313 në Tiranë. Të dy dyshohen për tre çështje: korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim pasurie: CEZ-DIA, lobimi në SHBA dhe disa fatura mjekësore.

“Zoti Meta është trajtuar në mënyrë të turpshme. Arrestimi i tij, sipas mendimit tim. Mbajtja në qeli e shtetarëve në këto nivele është, në këto nivele, jo proporcionale, për mendimin tim. Për shkak se, nëse nuk ka rrezik për prishjen e provave, rrezik për ikje apo për cenimin e dëshmitarëve, është e kotë që ti e mban mbrapa një qelie për vite me radhë”, thotë avokati Kazia.

I pari që mund ta kishte parë dritën në fund të tunelit ishte kryetari i bashkisë së Tiranës duke përfituar nga praktika e ndryshuar e Gjykatës së Lartë. Erion Veliaj, që po qeveris bashkinë e Tiranës, nga qelia e paraburgimit të Durrësit ku po mbahet prej 10 shkurtit të vitit të kaluar, i kishte kërkuar Gjykatës së Lartë të linte qelinë në 15 shtator, por diçka e tillë nuk ndodhi.

Veliaj u bë i pari zyrtar që u arrestua në zyrën e shtetit. Duke marrë në konsideratë cilësinë e një funksionari të zgjedhur, një mandati të ndërprerë dhe nevojën që kryeqyteti të qeveriset,ligji sipas avokatëve mund ta kishte lejuar që ai të ushtronte detyrën e qytetarit të parë të Tiranës. Pedagodu i juridikut, Kreshnik Myftari sjell në vëmendje edhe një masë sigurie që në kodin e procedurës ekziston por nuk përdoret.

“Kodi i Procedurës Penale ka masa të tjera sigurimi kufizuese, nëpërmjet të cilave sigurohen të gjitha kushtet dhe nevojat e sigurimit që përdoren në praktikën europiane. Neni 235 i Kodit të Procedurës Penale, “Ndalimi ose detyrimi për të qëndruar në një vend të caktuar”, që është zona e bashkisë. Ka të njëjtat kushte si arresti në shtëpi, ka kontroll policor”, thotë avokati Myftari.

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj këtë vit i pari fitoi betejën me gjykatën për të dalë nga kafazi i qelqtë, e më pas la qelinë pas djegies së afateve të paraburgimit. Sfida e tij me drejtësinë është në dy dosje. Teksa shërbeu si titullar i ministrisë së shëndetësisë SPAK thotë se ai kryer vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal për kontratën koncesionare me vlerë mbi 100 milionë euro të sterilizmit.

Çështja tjetër, SASPAC për të cilën përfundoi pas hekurave, e mban ende pezull vendimin nëse do t’i nënshtrohet gjykimit apo jo. Fundi i tetorit do të jetë vendimtar. Prokurorja duhet të bëjë detyrat që Gjykata i ka lënë për të provuar akuzën e korrupsionit dhe abuzimit me fondet e Bashkimit Europian.

Ende për tu hetuar është numri dy i qeverisë, Belinda Balluku, tanimë e akuzuar edhe për korrupsion pasiv.

Ish-zëvendëskryeministrja është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe në ndërtimin e Unazës së Madhe në Tiranë. Por, SPAK ka njoftuar zyrtarisht se krahas akt- akuzës hetimet kanë zbuluar se dyshihet se ka kryer korrupsion dhe pastrim parash kur mbante postin e drejtoreshës së Albcontrol.

Në këto muaj Prokuroria Antikorrupsion ka hetuar mbi 550 persona, përfshirë zyrtarë të lartë dhe protagonist të krimit të organizuar. Ndaj dhe shtatori e më tej, pritet të jetë një periudhë me shumë zhvillime./vizionplus.tv


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.