Vrasja e Valter Fjerzës në Hot të Ri, arrestohet pas tre vitesh një nga të dyshuarit si bashkautor
Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Target”, duke kapur një prej personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 33-vjeçarit Valter Fjerza, ngjarje e ndodhur më 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri.
Në pranga ka rënë Luçian Mëhilli, 23 vjeç, i cili dyshohet si bashkautor në vrasjen e Fjerzës. Për të, Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ngjarja e rëndë ndodhi në mbrëmjen e 21 shtatorit 2023, kur Valter Fjerza u qëllua për vdekje vetëm pak metra larg banesës së tij. Ai kishte shkuar në ambientet e një lokali në fshat, pasi ishte njoftuar për një konflikt mes vëllait të tij, Kol Fjerza, dhe disa personave të fisit Mëhilli.
Përplasja kishte nisur për një vend parkimi në rrugicën e lagjes dhe më pas kishte përshkallëzuar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Sipas hetimeve të asaj kohe, viktima nuk ishte pjesë e konfliktit fillestar, por ndërhyri pasi mësoi se vëllai i tij po përballej me disa persona. Ai u qëllua me armë zjarri sapo mbërriti në vendngjarje, duke humbur jetën në vend.
Në kuadër të operacionit “Target” është arrestuar edhe Kristjan Çarkaj, 26 vjeç, i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me Mëhillin. Ai dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe prodhim e shitje të narkotikëve.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesën e 23-vjeçarit, policia gjeti sasi të dyshuara lëndësh narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti tip “Opel” dhe dy telefona celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
The post Vrasja e Valter Fjerzës në Hot të Ri, arrestohet pas tre vitesh një nga të dyshuarit si bashkautor appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.