Zaçaj për ligjin mbi mbrojtjen e Guvernatorit: BE-ja nuk e kërkon si detyrim, por garancitë duhen që tani

Holta Zaçaj, zëvendësguvernatore e Bankës së Shqipërisë dhe ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ka argumentuar se garancitë procedurale për Guvernatorin mund të parashikohen me ligj, ndërsa ngritja e tyre në nivel kushtetues do të ishte e preferueshme për shkak të rëndësisë së institucionit.
Gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve për projektligjin e Bankës së Shqipërisë, Zaçaj u shpreh se Kushtetuta aktualisht nuk parashikon një mbrojtje të posaçme për Guvernatorin, por kjo nuk e pengon vendosjen e garancive procedurale përmes ligjit.
“Do ishte mirë të ishte e ngritur në nivel kushtetues, por garancia, po ta trajtosh si dispozitë me garanci procedurale të caktuara, patjetër që mund të qëndrojë dhe në nivel ligjor”, deklaroi ajo.
Zaçaj sqaroi se këto garanci nuk përbëjnë imunitet nga ndjekja penale, por lidhen me ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të detyrës nga Guvernatori.
“Për sa kohë ndjekja penale vazhdon të ekzistojë, ne po flasim vetëm për ndalimin e përkohshëm në lidhje me ushtrimin e detyrës dhe funksionin për të cilën zgjidhet guvernatori”, u shpreh Zaçaj.
Referimi te Bashkimi Europian
Gjatë diskutimit, Zaçaj iu referua edhe regjimit që do të zbatohet për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian dhe përfshirjes në Eurosistem.
Ajo sqaroi se kjo mbrojtje nuk vjen si detyrim i drejtpërdrejtë nga procesi i anëtarësimit.
“Jo, nuk vjen si detyrim”, tha Zaçaj, duke iu përgjigjur pyetjes nëse garancitë burojnë nga procesi i integrimit europian.
Megjithatë, ajo argumentoi se, me anëtarësimin në BE, Guvernatori do të përfitojë regjimin përkatës të mbrojtjes dhe se nuk sheh arsye që kjo garanci të mos parashikohet që tani.
Sipas Zaçajt, ndalimi i përkohshëm i një guvernatori nga ushtrimi i detyrave mund të konsiderohet formë presioni ndaj institucionit që ai drejton.
“Arsyeja pse mbrohet guvernatori, nuk mbrohet për shkak të të qenies së tij guvernator, mbrohet për shkak të elementit që të funksionojë i pavarur pa frikën që një ditë një organ i një pushteti tjetër vjen dhe e pengon për një arsye ose për tjetër për të ushtruar detyrën”, deklaroi ajo.
Në përfundim, Zaçaj theksoi se qëllimi i garancive është mbrojtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë.
“Nuk mbrohet guvernatori si person. Ne mbrojmë institucionin duke mbrojtur guvernatorin”, u shpreh ajo.
The post Zaçaj për ligjin mbi mbrojtjen e Guvernatorit: BE-ja nuk e kërkon si detyrim, por garancitë duhen që tani appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



