Balla: Reforma Zgjedhore miratohet deri më 30 nëntor, PS nuk pranon shtyrjen e afatit

  • Ndaje
Balla: Reforma Zgjedhore miratohet deri më 30 nëntor, PS nuk pranon shtyrjen e afatit

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të rikthehet në jetën parlamentare dhe të marrë pjesë në punimet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke paralajmëruar se mazhoranca nuk do të pranojë shtyrjen e afatit të këtij komisioni.

Në një konferencë për mediat, Balla bëri të qartë se nëse opozita nuk rikthehet në tryezën e reformës, socialistët do ta miratojnë atë në mënyrë të njëanshme, pavarësisht mungesës së konsensusit politik.

Sipas tij, data 30 nëntor është afati përfundimtar i punës së komisionit dhe PS nuk ka ndërmend të mbështesë një zgjatje tjetër të tij. Balla theksoi se ligji për financimin e partive politike duhet të miratohet brenda këtij viti, përpara Krishtlindjeve.

Ai kërkoi gjithashtu që opozita të ndërpresë bojkotin dhe të jetë e pranishme në seancën e ardhshme parlamentare, ku do të diskutohet buxheti i shtetit.

“Prej një muaji PD ka hyrë në një rrugë pa kthim dhe ftesa ime për ta është të ndërpresin bojkotin. I bëj thirrje PD dhe të tjerave që ishin sot në Konferencën e Kryetarëve, të reflektojnë. Rasti më i parë është seanca e javës së ardhshme e buxhetit të shtetit. Nuk ka moment më të rëndësishëm. Besoj që buxheti më i madh në histori, mbi 10 mld euro, e meriton për të qenë aty. Ulja e TVSH-së do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shpenzimet e çdo familjeje. Data 30 nëntor është afati i fundit i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Grupi i PS s’mund të mbështesë zgjatjen e afatit. Konsensusi është 84 vota, ne e kemi dhe do ta miratojmë në mënyrë të njëanshme nëse PD nuk vjen. Anëtarësimin e Shqipërisë në BE smund ta mbajë peng askush.

Unë ende shpresoj që deri më 30 nëntor do të ketë një reflektim nga PD, por ligji i financimit të partive politike, duhet të miratohet me çdo kusht brenda Krishtlindjeve të këtij viti. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet”, tha Balla.

The post Balla: Reforma Zgjedhore miratohet deri më 30 nëntor, PS nuk pranon shtyrjen e afatit appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.