Çfarë është nihilizmi i dhunshëm, ekstremizmi online që po shënjestron kryesisht adoleshentët?

  • Ndaje
Çfarë është nihilizmi i dhunshëm, ekstremizmi online që po shënjestron kryesisht adoleshentët?

Pa kauza politike apo fetare, por vetëm me një obsesion për dhunën. Nihilizmi i dhunshëm po shqetëson autoritetet policore në mbarë botën, përfshirë edhe ato në Zvicër. Ky fenomen i ekstremizmit online po prek veçanërisht të miturit.

CVLT, 764 dhe Maniac Murder Cult janë disa nga emrat që fshihen pas një rrjeti të paqartë komunitetesh online, të cilat promovojnë të ashtuquajturin nihilizëm të dhunshëm. Këto grupe nuk kanë udhëheqës apo program të mirëfilltë, përveç promovimit të dhunës. Në dhjetor të vitit 2025, Kanadaja e përfshiu rrjetin 764 në listën e saj të organizatave terroriste.

“Dhuna nuk është vetëm mjet, por edhe qëllim në vetvete. Ajo synon shkatërrimin e shoqërisë duke cenuar të gjitha themelet e saj morale dhe duke e konsideruar jetën si të pavlerë”, shpjegon Géraldine Casutt, sociologe në Njësinë për Parandalimin e Radikalizimit në kantonin Vaud të Zvicrës.

Në thelb, nihilizmi i dhunshëm konsiston në krijimin e përmbajtjeve tejet të dhunshme, si përgjigje ndaj kërcënimeve ose si formë përshkallëzimi, me qëllim që anëtarët të dëshmojnë epërsinë e tyre dhe të ngjiten në hierarkinë e grupit.

“Është sikur të jesh pjesë e një loje inicimi, ku fiton qasje në nivele gjithnjë e më të larta, varësisht nga veprimet që kryen”, shpjegon sociologia.

Në këtë mënyrë, viktimat mund të shtyhen drejt vetëdëmtimit, keqtrajtimit të njerëzve apo kafshëve, madje edhe krijimit të materialeve pornografike me përfshirjen e fëmijëve.

“Personat që përfshihen në këto rrjete janë gjithashtu në kërkim të diçkaje. (…) Kjo është pikërisht forca e këtyre komuniteteve: ato u ofrojnë një përgjigje”, thekson Casutt.

Zyra Federale e Policisë së Zvicrës (fedpol) ka konfirmuar se aktualisht janë duke u hetuar 20 raste të lidhura me këtë fenomen. Hetimet përfshijnë disa kantone.

Megjithatë, identifikimi i rasteve të tilla mbetet i vështirë, pasi veprimet e kryera shpesh ngatërrohen me vepra të zakonshme penale, si shantazhi, zhvatja dhe abuzimi seksual ndaj fëmijëve/albinfo.ch/

The post Çfarë është nihilizmi i dhunshëm, ekstremizmi online që po shënjestron kryesisht adoleshentët? appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.