Gashi: Më 1 dhjetor në Kuvend ligji për kontratat e përhershme
Rreth 6 mijë punonjës me kontrata të përkohshme pritet të përfitojnë nga mundësia e transformimit të marrëdhënies së tyre të punës në kontrata të përhershme.
Propozim-ligji i Qeverisë për transformimin e kontratave të përkohshme në kontrata të përhershme është vendosur në rendin e ditës të seancës plenare të Kuvendit, e cila pritet të mbahet më 1 dhjetor.
Këtë e konfirmoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë takimit të rregullt me gazetarët.
Sipas përmbajtjes së propozim-ligjit, transformimi do të realizohet në dy faza. Për deri në 50 për qind të personave të përfshirë, punësimi i përhershëm parashihet të bëhet në fazën e parë, ndërsa për pjesën tjetër procesi duhet të përfundojë më së voni deri më 31 dhjetor 2027.
Ligji parasheh që institucionet të kenë afat prej 90 ditësh nga hyrja e tij në fuqi për të lidhur kontratat e reja ose për të nxjerrë vendimet për punësim. Megjithatë, transformimi do të kushtëzohet nga plotësimi i kritereve për vendin përkatës të punës dhe sigurimi i pëlqimit financiar nga Ministria e Financave.
Masa parashihet të përfshijë një pjesë të institucioneve shtetërore dhe lokale, ndërmarrjet publike, institucionet shëndetësore, kulturore dhe të mbrojtjes sociale. Disa kategori, përfshirë institucionet arsimore, ushtrinë dhe institucionet e sigurisë, nuk përfshihen në këtë zgjidhje ligjore.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.