Këto janë top tre kompanitë më të mira nga TOP 100 për 2026

  • Ndaje
Këto janë top tre kompanitë më të mira nga TOP 100 për 2026

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), në kuadër të ngjarjes tradicionale “TOP 100” për vitin 2026, ka shpallur kompanitë më të suksesshme në vend.Në mesin e kompanive të vlerësuara, vendin e parë e zuri Neptun, e cila u shpall kompania më e suksesshme e këtij edicioni.Në vendin e dytë u rendit Pofix, ndërsa vendin e tretë e zuri Alma M

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, për të 17-tën herë me radhë, realizoi ngjarjen tradicionale TOP 100 2026, ngjarjen më të rëndësishme ekonomike në vend. Ky event vazhdon traditën shumëvjeçare të Odës, duke vlerësuar kompanitë që me arritjet, investimet dhe vizionin e tyre kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e së ardhmes së vendit.

Kjo ngjarje unike, e cila ndër vite dokumenton arritjet dhe historitë e suksesit të kompanive më të dalluara në vend, tashmë është shndërruar në një prej shenjave më të njohura dalluese të OEMVP. TOP 100 vendos në qendër të vëmendjes fuqinë, vizionin dhe kontributin e komunitetit të biznesit, duke promovuar suksesin dhe rëndësinë e sektorit privat në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Edicioni i sivjetëm mblodhi figura eminente, përfshirë Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, udhëheqësinë më të lartë shtetërore, ambasadorë dhe diplomat, përfaqësues të institucioneve shtetërore, të komunitetit të biznesit, të odave ekonomike nga vendi dhe rajoni, partnerë ndërkombëtar, si dhe përfaqësues të mediave, kështu duke dëshmuar rëndësinë dhe karakterin e kësaj ngjarjeje në skenën ekonomike.

Në fillim të ngjarjes, në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i OEMVP-së, z. Sami Morina, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje në promovimin dhe vlerësimin e kompanive që kontribuojnë në ekonominë e vendit.

“Pas këtyre arritjeve qëndrojnë vendime të guximshme, investime dhe përkushtim i vazhdueshëm. Janë histori të ndërmarrësve që kanë ditur të shfrytëzojnë mundësitë. Të përballojnë sfidat dhe të ndërtojnë biznese të qëndrueshme, duke krijuar vlerë përtej aktivitetit të tyre të përditshëm.

Në këtë drejtim, OEMVP do të jetë zë i fuqishëm dhe partner aktiv në adresimin e nevojave dhe sfidave të komunitetit të biznesit”, u shpreh kryetari Morina.

Në fjalën e tij, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një ekonomie gjithëpërfshirëse, ku suksesi dhe zhvillimi ekonomik tejkalojnë çdo dallim etnik apo fetar.

“Ekonomia nuk njeh kufij etnikë apo fetarë. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një ekonomi ku puna e palodhur shpërblehet, investimet inkurajohen, të rinjtë kanë një të ardhme, ndërsa kompanitë vendase janë konkurruese në tregjet evropiane dhe globale”, theksoi kryeministri Mickoski.

Gjatë mbrëmjes u ndanë edhe çmime të veçanta për kompani që kanë dëshmuar rezultate të jashtëzakonshme dhe kontribut të veçantë në fusha të ndryshme të ekonomisë:

“Gruaja e Suksesshme në Biznes” – u nda për znj. Aleksandra Shkëmbi Antovska, udhëheqëse e kompanisë Sigal Life Insurance.

“Partneriteti më i Suksesshëm” – u nda për kompaninë MAYA–ML GARI.

“Top Eksportuesi” – i takoi kompanisë MULTIPARK IZAIRI, me një vlerë eksporti prej 43 milionë eurosh.

“Top Investitori” – iu nda kompanisë TRIM&LUM, me investime në vlerë prej 5.6 milionë eurosh gjatë vitit 2025, ndërsa

Çmimi “Kompania me Përgjegjësi Shoqërore Korporative” – iu nda HALKBANK.

Rëndësia e kësaj ngjarjeje dëshmohet më së miri përmes rezultateve konkrete financiare dhe ekonomike të kompanive të përfshira në katalogun TOP 100. Të dhënat për vitin 2025, nga 100 kompanitë e renditura në pesë kategori, dëshmojnë fuqinë dhe ndikimin e tyre në ekonominë e vendit: 1.95 miliardë euro të hyra vjetore, 125.7 milionë euro fitim neto, 10,897 persona të punësuar, 225.2 milionë euro eksporte të realizuara, 153.8 milionë euro investime të realizuara.

Gjithashtu, në shenjë vlerësimi për angazhimin dhe kontributin e tij në udhëheqjen e OEMVP-së gjatë vitit 2025 dhe deri në zgjedhjen e udhëheqësisë së re në vitin 2026, ish-Kryetari i OEMVP-së, z. Nuhi Aliu u nderua me mirënjohje.

Drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së, z. Durim Zekiri, në fjalën e tij theksoi rritjen dhe zhvillimin e kompanive anëtare ndër vite, konkurrueshmërinë e tyre në treg, si dhe rëndësinë e objektivitetit dhe transparencës në metodologjinë e renditjes së TOP 100.

Për të përmbyllur mbrëmjen, u shpallën edhe TOP 5 kompanitë më të fuqishme në vend, për këtë edicion:

TOP 5: Bas Tuti Fruti
TOP 4: Kipper Market
TOP 3: ALMA M
TOP 2: POFIX
Kompania fituese – TOP 1: NEPTUN

Përmes organizimit të TOP 100, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vazhdon përkushtimin e saj për të promovuar suksesin e bizneseve, për të krijuar hapësira të reja bashkëpunimi dhe për të qenë një partner i qëndrueshëm i komunitetit të biznesit.

TOP 100 mbetet pasqyrë e fuqisë ekonomike, platformë e promovimit të sipërmarrjes dhe dëshmi e kontributit të bizneseve në ndërtimin e një ekonomie më të zhvilluar dhe konkurruese.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.