Maqedonia e Veriut renditet e 41-ta në Evropë për GDP-në për banor, pas Serbisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë
Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 41-të mes 48 ekonomive evropiane për nga Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për banor, sipas projeksioneve për vitin 2026. Këto të dhëna janë publikuar nga platforma “Visual Capitalist”, bazuar në parashikimet e tetorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Maqedonia e Veriut pas Serbisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë
Sipas projeksioneve, PBB-ja për banor në Maqedoninë e Veriut pritet të jetë 11.762 dollarë në vitin 2026.
Në rajon, Serbia renditet para Maqedonisë së Veriut me 17.126 dollarë për banor, Mali i Zi me 16.211 dollarë dhe Shqipëria me 13.968 dollarë.
Bosnja dhe Hercegovina renditet në vendin e 43-të, me 10.845 dollarë për banor, ndërsa Ukraina ndodhet në fund të listës me 7.075 dollarë.
Dallimi mes Maqedonisë së Veriut dhe ekonomive më të pasura evropiane mbetet i konsiderueshëm. Për shembull, PBB-ja për banor në Gjermani arrin në 65.699 dollarë, më shumë se pesëfish krahasuar me nivelin e Maqedonisë së Veriut.
Në prill të këtij viti, FMN-ja paralajmëroi se rritja e çmimeve të energjisë, e lidhur me konfliktet në Lindjen e Mesme, mund të shtojë sërish presionet inflacioniste dhe të ndikojë në perspektivën ekonomike të Maqedonisë së Veriut.
Në deklaratën përfundimtare të misionit të FMN-së thuhej se rritja reale e PBB-së në vitin 2026 pritet të jetë 3,1 për qind, ndërsa inflacioni mund të arrijë rreth 4,5 për qind, për shkak të rritjes së çmimeve të naftës.
FMN-ja vlerësoi gjithashtu se deficiti i llogarisë korrente mund të zgjerohet në rreth 5 për qind të PBB-së, përpara se të fillojë të ulet gradualisht në vitet në vijim.
Lihtenshtajni, Luksemburgu dhe Irlanda në krye të listës evropiane
Në krye të renditjes evropiane për vitin 2026 qëndron Lihtenshtajni, me një PBB të projektuar prej 230.417 dollarësh për banor.
Pas tij renditen Luksemburgu me 155.733 dollarë dhe Irlanda me 127.837 dollarë. Në grupin e vendeve me mbi 100.000 dollarë PBB për banor bëjnë pjesë edhe Zvicra, Norvegjia dhe Islanda.
Edhe pse Gjermania është ekonomia më e madhe në Evropë për nga PBB-ja e përgjithshme, në renditjen për PBB për banor zë vendin e 12-të. Franca renditet e 18-ta, ndërsa Italia e 19-ta.
Sipas analizës së “Visual Capitalist”, pozitat e larta të Lihtenshtajnit dhe Luksemburgut lidhen pjesërisht me sektorin e zhvilluar financiar, produktivitetin e lartë dhe numrin e madh të punëtorëve ndërkufitarë që kontribuojnë në aktivitetin ekonomik të këtyre vendeve.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.