Zvicra ndër vendet me më shumë javë mungesa në punë për shkak të sëmundjeve
Norvegjia renditet e para në listën e vendeve ku punonjësit mungojnë më së shpeshti në punë për shkak të sëmundjeve, ndërsa Zvicra pozicionohet në vendin e 15-të, transmeton albinfo.ch.
Sipas të dhënave të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), gjatë periudhës 2021–2025, punonjësit me orar të plotë në Norvegji kanë munguar mesatarisht 5.6 javë në vit për arsye shëndetësore. Pas saj renditet Finlanda me 5 javë, e ndjekur nga Spanja me 4.6 javë.
Në listë, Sllovenia zë vendin e katërt me 4.4 javë, Portugalia të pestin me 4.3 javë, ndërsa Franca renditet e gjashta me 4.2 javë. Në dhjetëshen e parë përfshihen gjithashtu Suedia, Gjermania, Austria dhe Kroacia.
Ndërkohë, Zvicra renditet në vendin e 15-të, me një mesatare prej 2.1 javësh mungesë në vit për shkak të sëmundjeve.
Sipas Alexander Geissler, profesor i ekonomisë shëndetësore në Universitetin e St. Gallenit, numri i mungesave ndikohet nga kushtet e tregut të punës dhe rregulloret ligjore, veçanërisht nga mënyra se si sigurohet kompensimi financiar gjatë periudhës së sëmundjes.
Në vendet ku punëdhënësit janë të detyruar të vazhdojnë pagesën e plotë të pagës që nga dita e parë e mungesës, punonjësit nuk përballen me humbje të menjëhershme financiare kur qëndrojnë në shtëpi për shkak të sëmundjes.
Në anën tjetër, në vendet ku kompensimi është më i ulët ose ekzistojnë ditë pritjeje pa pagesë, punonjësit mund të përballen me humbje të të ardhurave. Kjo mund të nxisë të ashtuquajturin fenomen të prezenteizmit, kur njerëzit vazhdojnë të paraqiten në punë edhe pse janë të sëmurë.
Ky fenomen mund të jetë një nga faktorët që shpjegon shifrat e ulëta të mungesave në disa vende. Italia, për shembull, regjistron vetëm 0.6 javë mungesa në vit, ndërsa Rumania 0.1 javë./Albinfo.ch
The post Zvicra ndër vendet me më shumë javë mungesa në punë për shkak të sëmundjeve appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.