Admir Mehmedi emërohet në bordin sportiv të Winterthurit

Ish-futbollisti shqiptar, Admir Mehmedi, është emëruar anëtar i bordit përgjegjës për çështjet sportive te klubi zviceran Winterthur, duke zëvendësuar Fredy Bickelin, i cili është tërhequr nga posti për arsye personale, transmeton albinfo.ch.
Mehmedi do të jetë pjesë e ekipit drejtues strategjik të klubit dhe do të angazhohet në zhvillimin afatgjatë sportiv të Winterthurit. Në këtë rol, ai do të bashkëpunojë ngushtë me drejtorin sportiv Oliver Kaiser dhe drejtorin e akademisë, Roger Etter.
Emërimi ka një domethënie të veçantë për Mehmedin, pasi Winterthuri është klubi ku ai hodhi hapat e parë në futboll. Ai ishte pjesë e akademisë së klubit nga viti 2000 deri në vitin 2006.
Gjatë karrierës së tij si futbollist, 35-vjeçari luajti për disa klube të njohura evropiane, përfshirë FC Zürich, Dynamo Kyiv, Freiburg, Bayer Leverkusen, Wolfsburg dhe Antalyaspor. Ai ishte gjithashtu pjesë e reprezentacionit të Zvicrës.
Tashmë, Mehmedi nis një kapitull të ri në futboll, duke kaluar nga fusha e lojës në drejtimin dhe zhvillimin strategjik të klubit që dikur e kishte si pikënisje të karrierës së tij.
Winterthuri aktualisht garon në kategorinë e dytë të futbollit zviceran./Albinfo.ch
The post Admir Mehmedi emërohet në bordin sportiv të Winterthurit appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



