Ambasada amerikane: Normalizimi i marrëdhënieve, rruga e vetme për Kosovën dhe Serbinë drejt BE-së

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka reaguar pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Serbi, Chrisopher Hill. Në një përgjigje për Tëvë1, thuhet se qëndrimi i ShBA-ve për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar. Derisa, ambasada ka thënë se vazhdon t`a mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për ta arritur një […]

Ambasada amerikane: Normalizimi i marrëdhënieve, rruga e vetme për Kosovën dhe Serbinë drejt BE-së

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka reaguar pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Serbi, Chrisopher Hill.

Në një përgjigje për Tëvë1, thuhet se qëndrimi i ShBA-ve për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar.

Derisa, ambasada ka thënë se vazhdon t`a mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për ta arritur një marrëdhënie të normalizuar.

“Ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie të normalizuar, paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve. E ardhmja e të dy vendeve është në institucionet evropiane; normalizimi i marrëdhënieve të tyre përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ndryshe, ajo tha se pret që Kosova dhe Serbia të respektojnë angazhimet e tyre të dialogut, pa vonesa apo parakushte.

“Ne presim që Kosova dhe Serbia të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha angazhimet e tyre të Dialogut plotësisht dhe pa vonesa apo parakushte. Synimi afatgjatë i politikës së Shteteve të Bashkuara është njohja eventuale e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, siç e kemi njohur që nga viti 2008”, thotë ambasada.