ANALIZË: Investitorët e “presin” ofertën e qeverisë së re, investimet publike “nën thjerrë”, pason rebalanci i buxhetit

Në pritje të rebalancit të paralajmëruar të buxhetit, i pari me nënshkrimin e Qeverisë së re, ekonomistët vlerësojnë se përpara nesh është një periudhë e ndryshimeve të nevojshme. Por, sa dhe si mund të ndryshohet fondi buxhetor, a mund të shkurtohet nga të drejtat tashmë të dhëna, ku mund të kursehet? Shkruan analiza ekonomike javore […]

ANALIZË: Investitorët e “presin” ofertën e qeverisë së re, investimet publike “nën thjerrë”, pason rebalanci i buxhetit

Në pritje të rebalancit të paralajmëruar të buxhetit, i pari me nënshkrimin e Qeverisë së re, ekonomistët vlerësojnë se përpara nesh është një periudhë e ndryshimeve të nevojshme. Por, sa dhe si mund të ndryshohet fondi buxhetor, a mund të shkurtohet nga të drejtat tashmë të dhëna, ku mund të kursehet? Shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Vlerësimet e ekonomistëve

Me një deficit buxhetor më të madh dhe rritje ekonomike më të ulët se sa ishte planifikuar. Sipas disa ekonomistëve, ky vit ekonomik zgjedhor do të përfundojë kështu.

“Viti 2024 është vit zgjedhor dhe për shkak të rezultatit zgjedhor do të jetë vit i ndryshimit të politikave ekonomike dhe natyrisht edhe i ndryshimit të politikave buxhetore, prandaj edhe rebalanci i buxhetit është një gjë e pritshme. Është e qartë se qeveria e re do të trashëgojë një hapësirë të ngushtë fiskale dhe deficit buxhetor, i cili është gjithmonë më i shpejtë dhe më i lehtë në vitin e zgjedhjeve. Edhe në vitet e mëparshme zgjedhore, rritja e PBB-së nuk ishte për t’u lavdëruar, me përjashtim të viteve 2006 dhe 2008, me rritje prej 5.1% dhe 5.5%, përkatësisht. Rritja mesatare e PBB-së në vitet zgjedhore në tre dekadat e fundit (1997 – 2024) nuk kalon 2%. Nuk shohim arsye pse viti 2024 do të ndryshonte nga kjo mesatare famëkeqe”, thotë eksperti i tatimeve, ekonomisti Pavle Gacov.

Qeverisë së re do t’i duhet kohë që të fillojë të hartojë dhe të zbatojë politikën e saj ekonomike, ndërkohë që urgjentisht duhet të bëjë një rebalanc të buxhetit për ta përfunduar këtë vit, thotë profesori dhe një nga ish-ministrat e financave, Nikolla Popovski.

“Projeksionet dhe parashikimet ekonomike janë më të vështirat në vite si ky, kur ka zgjedhje në mes të vitit. Qeverisë së re do t’i duhet kohë për të filluar hartimin dhe zbatimin e politikës së saj ekonomike. Vitet e fundit, ne, si edhe bota në tërësi, po përballemi me ritme të ulëta të rritjes ekonomike, inflacion relativisht të lartë, rritje të deficiteve buxhetore dhe gjasa të vogla për të përshpejtuar rritjen ekonomike në afat të mesëm. Duket se në aspektin ekonomik bota po kalon nëpër një periudhë të funksionimit bosh. Investitorët privatë (vendas dhe të huaj) do të duan ta shohin ofertën e qeverisë së re, ndërsa investimet publike do të rishqyrtohen dhe ndoshta do të riorientohen. Kjo fut një hapësirë shtesë vakum në stimulin e rritjes ekonomike. Supozimet e këtilla janë të vështira për të arritur rritje të konsiderueshme ekonomike. Norma e parashikuar e rritjes prej afër 4 për qind do të duhet të ripërcaktohet dhe të përshtatet duke e ulur sipas rrethanave. Rebalanci i ardhshëm është një mundësi e mirë për këtë”, thotë Popovski.

Deri në fund të muajit të katërt zgjedhor, të ardhurat buxhetore janë realizuar me një përqindje prej 31,71%, kurse shpenzimet kanë realizim prej 32,80%. Deficiti buxhetor për katër muaj në raport me planin për të gjithë vitin është 42,96%. “Vrima” në arkën e shtetit do të jetë çështja më e rëndësishme buxhetore e këtij viti.

“Deficiti do të bëjë presion mbi nevojën për huamarrje të re. Edhe kësaj radhe deficitin nuk e shkaktojnë shpenzimet kapitale, të cilat në mesin e vitit kishin realizim prej mezi 30 për qind, por shpenzimet e rregullta dhe shpenzimet e ashtuquajtura zgjedhore. Kjo strukturë e buxhetit nuk e nxit rritjen e ekonomisë, përkundrazi ndikon në rritjen e çmimeve si kërkesë agregate”, thotë Gacov.

Ekonomistët thonë se nuk mund të priten rezultate më të rëndësishme ekonomike në kushtet e thellimit të deficitit buxhetor dhe ngadalësimit të aktivitetit ekonomik.

“Sipas të dhënave për tremujorin e parë dhe për arritjet sektoriale në prodhimin industrial, bujqësi dhe një pjesë të madhe të sektorëve të shërbimeve, si dhe për të dhënat për uljen e eksportit në kushtet e rritjes së importit, vështirë se mund të presim ndonjë rezultat më domethënës. Kjo plotësohet edhe me nevojën që politika monetare relativisht kufizuese, e cila manifestohet me rritjen e kamatave në treg dhe me kompensimin e pjesshëm të politikës fiskale relativisht ekspansive me nivel të lartë të deficitit buxhetor, të vazhdojë gjatë gjithë këtij viti”, Popovski, duke shtuar se një ndikim të madh në rritjen ekonomike do të kenë edhe faktorë të tjerë “joekonomikë”.

“Ka barriera jo-ekonomike që janë ende të forta në botë (konfliktet ushtarake rajonale që kërcënojnë të rriten në konflikte më të gjera), por edhe në vendin tonë – stagnimi në proceset integruese evropiane, rreziku i vazhdueshëm nga destabilizimi politik dhe marrëdhëniet e paparashikueshme ndëretnike“, shton Popovski.

Rebalanci i buxhetit pritet në gjysmën e dytë të korrikut.