Anita Haradinaj kritikon Qeverinë: Pse nuk u mblodhën prova për një aktakuzë ndaj Serbisë?

Anita Haradinaj kritikon Qeverinë: Pse nuk u mblodhën prova për një aktakuzë ndaj Serbisë?

Anita Haradinaj i ka reaguar Qeverisë së Kosovës, duke ngritur pyetjen se pse nuk janë mbledhur prova dhe fakte për të ngritur një aktakuzë ndaj Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

E ftuar në emisionin “Kosova Today”, Haradinaj ka thënë se Qeveria është dashur të punojë në këtë drejtim, duke përmendur gratë e dhunuara gjatë luftës, masakrat dhe varrezat masive.

“Megjithatë, nuk e kuptoj qeverinë e sotme, me mandatin më të gjatë edhe më të gjatë se të Hashim Thaçit e ka pas, nuk e kuptoj pse nuk ka mbledh prova e fakte për të ngritur një aktakuzë shteti mbi shtetin, jo mbi individët, d.m.th. Kosova mbi Serbinë, sepse ne kemi gra të dhunuara, kemi masakra, masakra të shumta, kemi varreza masive që po hapen tani kur po duhet kur po ju konvenojnë shtetit serb”, ka deklaruar Muçaj-Haradinaj.

“… D.m.th një luftë të Ushtrisë Çlirimtare, që ajo veç ushtri s’ka qenë, ajo ka qenë lëvizje vullnetare, d.m.th secili individ që e ka pas një pushkë në shtëpi e ka kapë atë pushkë për me mbrojt pragun e shtëpisë. Prandaj mua më dhemb pse shteti nuk është fokusu… Qeveria Kurti, se tash spo du me u marrë me politikë, se prap nuk jam kompetente, por shteti i Kosovës, mirë, s’ka bërë ndonjë zhvillim ekonomik… mirë që spaska zhvillu arsim, mire që spaska zhvillu shëndetësi, por bëjeni një vepër madhore që me u majt në mendje”, ka potencuar ajo.

Deklarata e Haradinajt vjen në një kohë kur shpallja e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.

Në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të gjykatës në Hagë, në Kosovë janë zhvilluar edhe protesta dhe tubime.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.