“Balluku”, Bardhi tregon se çfarë ndodhi në mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka dhënë detaje lidhur me mbledhjen e zhvilluar këtë të hënë, më 23 shkurt, të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ku u shqyrtua kërkesa e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion për heqjen e imunitetit si deputete të Belinda Ballukut, e cila është e pezulluar nga detyra si zv.kryeministre e […]
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka dhënë detaje lidhur me mbledhjen e zhvilluar këtë të hënë, më 23 shkurt, të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ku u shqyrtua kërkesa e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion për heqjen e imunitetit si deputete të Belinda Ballukut, e cila është e pezulluar nga detyra si zv.kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
I pyetur se çfarë vunë në dispozicion prokurorët e posaçëm në këtë mbledhje, Bardhi deklaroi se ata kishin paraqitur prova që sipas tij dëshmonin se zv.kryeministrja Balluku kishte intimiduar të bashkëpandehurit dhe dëshmitarët për të ndryshuar dëshmitë e tyre.
Pjesë nga biseda në studio:
Blendi Fevziu: A është e vërtetë që Prokuroria, sipas mediave që kam lexuar sot, duke iu referuar burimeve nga PD, ka deklaruar që ka pasur po e quaj tentativë për të frikësuar dëshmitarë, apo persona që mund të thirreshin?
Gazment Bardhi: Prokuroria jo vetëm ka patur një deklarim të tillë por ka sjellë edhe provat konkrete, përgjimet konkrete, telefonike, komunikimet mes personave të ndryshëm që prodhonin dy gjëra: Që zonja Balluku kishte përdorur dy forma konkrete për të intimiduar qoftë të bashkëpandehurit, qoftë dëshmitarët që ishin në listën e SPAK për t’u thirrur dhe dëshmuar.
Blendi Fevziu: Nga e dinte zonja Balluku listën?
Gazment Bardhi: Sepse zonja Balluku ka marrë në dorëzim provat e SPAK dhe në momentin që prokuroria e ka marrë të pandehur, apo i ka vendosur masën e sigurimit, i ka vënë në dispozicion dosjen duke përfshirë edhe provat shoqëruese.
Blendi Fevziu: Çfarë provash?
Gazment Bardhi: Thashë, jo vetëm e deklaruan, por edhe e provuan. Deklaratën e kanë bërë dhe e kanë provuar përmes përgjimeve telefonike. Zonja Balluku kishte përdorur disa persona që prokurorët i cilësuan me termin “persona të fortë”.
Blendi Fevziu: “Të fortë” do të thotë të botës së krimit, të botës së biznesit apo të politikës? Sepse ne kemi tre lloje të fortësh?
Gazment Bardhi: Do ta them, të pyetur nga ne nëse me termin “persona të fortë” e kanë për persona të krimit të organizuar, përgjigja e prokurorëve ishte se këta persona janë të identifikuar, për momentin i cilësojnë me termin ‘persona të fortë’, jemi duke hetuar veprimtarinë e tyre të dyshuar në kuadër të grupeve kriminale, por për sa kohë kjo çështje sipas prokurorëve po hetohet veçmas nga çështja thelbësore e zonjës Balluku, ata nuk ishin të gatshëm për shkak të sekretit hetimor… Po hetohet dhe mbrohet nga sekreti hetimor dhe për këtë arsye prokurorët nuk dhanë më shumë të dhëna.
Forma e dytë përmes zyrtarëve të lartë publik, dhe prokurorët identifikuan me një term të përgjithshëm ‘kabineti i ministres dhe zv.kryeministres Belinda Balluku’. Edhe për këtë sollën prova konkrete, të transkriptimeve të bisedave telefonike të përgjuara, të cilat kërcënonin dëshmitarë apo të bashkëpandehur duke u kërkuar të ndryshonin dëshminë pasi nuk e bënin këtë do të shkarkoheshin nga puna ata dhe familjarë të tyre. Prandaj oferta që zonja Balluku u ofronte këtyre dëshmitarëve apo të bashkëpandehurve ishte ‘Të hapnin gojën sa para donin të ndryshonin dëshminë.
Blendi Fevziu: Ku do ti gjenin paratë?
Gazment Bardhi: Po 50 milionë i ka vjedhur tek tuneli i Llogarasë. Turqit nuk i morën të gjithë për ti futur në xhep. I ndanë bashkë.
Mes të tjerash, Bardhi tha se sot në mbledhjen e këshillit ka parë një sjellje tërësisht profesionale të të tre prokurorëve të SPAK-ut, pasi sipas tij “në asnjë moment nuk kanë hyrë në diskutime politike dhe çdo sqarim që kanë dhënë për Këshillin e Mandateve e kanë bazuar në kushtetutë, ligj dhe provat që kanë paraqitur.”

