Begaj: Shqipëria dhe Turqia janë dy vende mike dhe partnerë strategjikë

Begaj: Shqipëria dhe Turqia janë dy vende mike dhe partnerë strategjikë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se Shqipëria dhe Turqisë janë dy vende mike, partnerë strategjikë dhe aleatë të besueshëm në NATO.

Presidenti Begaj ka pritur gjatë fundjavës shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke, Gjeneral Selcuk Bayraktaroglu.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se gjatë takimit u theksua se Shqipëria dhe Turqia janë aleate në NATO dhe partnerë strategjikë, me marrëdhënie të shkëlqyera politike, ekonomike dhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve u vlerësua nga Presidenti i Republikës si i konsoliduar dhe në nivele shumë të mira. Presidenti shprehu mirënjohje për kontributin e Türkiyes në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, përmes mbështetjes në arsimim, trajnim, zhvillim kapaciteteve të mbrojtjes, të emergjencave civile dhe mbështetje mjekësore”, theksohet në njoftim.

Sipas Presidencës së Shqipërisë, ushtarakë të dy vendeve kanë shërbyer së bashku në misione të NATO-s në Afganistan, Detin Egje dhe Kosovë, “duke forcuar më tej bashkëpunimin dhe lidhjet ndërmjet forcave tona të armatosura”.

Sipas njoftimit, Begaj shprehu gjithashtu falënderim për ndihmën e ofruar nga Türkiye gjatë tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë COVID-19.

Presidenti Begaj, theksohet në njoftim, vlerësoi gjithashtu kontributin e Turqisë në misionin e KFOR-it “i cili është një faktor kyç për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm te Turqisë, gjenerali Selcuk Bayraktaroglu, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të vendit.

Burimi i lajmit:ina-online.net
Shënim: Ky material është marrë nga burime publike në internet dhe është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.Portali nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen origjinale të publikuar nga burimi. Nëse keni ankesa apo kërkesa për heqje materiali, ju lutem na kontaktoni në facebook/KosovaToday Faleminderit për mirëkuptimin.