Berisha njofton protestën e ardhshme më 17 Prill

Në një komunikim me ndjekësit online, kreu i PD Sali Berisha ka njoftuar datën e protestës së ardhshme të opozitës që do të jetë më 17 Prill.
“Me datën 17 prill, Shqipëria në Tiranë për dorëheqjen e Edi Ramës. Mos mendo se nuk do gjesh paqe kurrë, nuk do ketë stabilitet kurrë për ty, për organizatën tënde të Ballukëve kriminelë dhe kartelet e drogës në Shqipëri. Opozita qëndron më e fuqishme se kurrë, më e vendosur se kurrë në misionin e saj”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë i pyetur nga një qytetar që çfarë do të bëjë nëse ai vjen në pushtet, Berisha tha se akti I parë do të ishte vendosja e minimumit jetik.
“Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka minimum jetik dhe ndër të paktat vende në botë. Kjo ka bërë që sot 49 përqind e shqiptarëve të jenë në varfëri ose të kërcënuar nga varfëria.Ka bërë që 18 përqind e tyre të jenë në varfëri ekstreme. Pra me një vendim të qeverisë ne zhdukim varfërinë ekstreme në Shqipëri, ne nxjerrim nga rreziku i varfërisë një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë. Ndërkohë, përsëri theksoj se përqendrimi i parë dhe më kryesor i yni do jetë tek qytetarët. Një vrap për rritjen e rrogave dhe pensioneve të tyre”, u shpreh Berisha.





