Betim Fazliji nuk kalon te FC Zürich, dështon transferimi pas kontrollit mjekësor

Betim Fazliji nuk do të jetë pjesë e FC Zürich. Futbollisti 27-vjeçar i FC St. Gallen ishte shumë pranë transferimit te skuadra nga Cyrihu, por marrëveshja është prishur pas kontrollit mjekësor, transmeton albinfo.ch.
Lajmi është konfirmuar nga presidenti i FC Zürich, Ancillo Canepa, i cili ka bërë të ditur se negociatat mes dy klubeve kishin avancuar ndjeshëm dhe se palët kishin arritur marrëveshje edhe për aspektin financiar.
Problemi është shfaqur gjatë kontrollit mjekësor.
“Negociatat ishin shumë të avancuara dhe në fakt ishim dakord. Problemi ishte kontrolli mjekësor. Nuk është diçka dramatike, por atij i duhen edhe disa javë për t’u rikthyer në formë”, ka deklaruar Canepa.
Sipas tij, situata aktuale e FC Zürich kërkon një futbollist që mund të aktivizohet menjëherë.
“Ne kemi nevojë për dikë që mund ta përdorim menjëherë. Ai do të ishte perfekt si lider. Për fat të keq, këtë transferim nuk mund ta realizojmë”, ka shtuar presidenti i klubit.
Edhe Ricardo Rodriguez ishte në diskutim
FC Zürich kishte shqyrtuar gjithashtu mundësinë e rikthimit të Ricardo Rodriguez, por edhe ky transferim duket se nuk do të realizohet.
Sipas Canepas, pengesa kryesore janë kërkesat financiare që lidhen me një marrëveshje të tillë.
Pas dështimit të transferimit të Fazlijit, FC Zürich ka edhe pak kohë për të gjetur një përforcim me përvojë. Afati kalimtar në futbollin zviceran mbyllet më 8 shtator.
Fazliji, ndërkohë, pritet të vazhdojë të jetë pjesë e FC St. Gallen, të paktën për momentin. /Albinfo.ch
The post Betim Fazliji nuk kalon te FC Zürich, dështon transferimi pas kontrollit mjekësor appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



