Bislimi: Ka sinjale pozitive për heqjen e masave

Është bërë një vit, prej kur Kosova është nën masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Për largimin e tyre, tashmë është përpiluar raporti i cili është në duart e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, i cili pritet që në javën e ardhshme t’i dërgohet shteteve anëtare të BE-së. Sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka sinjale pozitive që […]

Bislimi: Ka sinjale pozitive për heqjen e masave

Është bërë një vit, prej kur Kosova është nën masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

Për largimin e tyre, tashmë është përpiluar raporti i cili është në duart e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, i cili pritet që në javën e ardhshme t’i dërgohet shteteve anëtare të BE-së.

Sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka sinjale pozitive që Kosovës do t’i largohen masat ndëshkuese.

“Raporti është dashur të dorëzohet pardje, por një pjesë e komisionit apo figura të caktuara të komisionit kanë kërkuar edhe pak shtyrje dhe unë besoj që ai do të dërgohet për aprovim në këshill, gjatë javës së ardhshme. Përmbajtja e raportit, me sa e di unë, është pozitive dhe në të do të rekomandohet heqja e masave”, tha Bislimi.

Mirëpo, ndryshe nga Bislimi, thotë se ka informacione kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane.

“Unë kom informacione të tjera që masat do të vazhdojnë dhe për neve normalisht është shqetësuese nëse vazhdojnë ato masa”, tha kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi.

Deklarata e Krasniqit më pas nxiti debat në mbledhjen e këtij komisioni.

“Kot ju thoni atje nëpër zyra është mirë që t’i hiqen masat Kosovës, në qoftë se për çdo ditë nëpër televizione thoni kjo qeveri i ka merituar këto masa”, tha Krasniqi.

Ndërsa, pas mbledhjes së Komisionit, Bislimi është deklaruar rreth draft-statutit të Asociacionit.

Derisa tha se atë nuk do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese, shtoi se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ka pasur kërkesa që kanë devijuar nga kërkesat e Komisionit Evropian dhe të cilat janë refuzuar nga vetë Asambleja Parlamentare e Komisionit Evropian, siç është kërkesa për dërgimin e draftit, i cili nuk përbën faktikisht as draft as dokument, sepse nuk ka as nënshkrim e as nuk ka pronësi. Deri në momentin e tanishëm ka disa adresa që kanë thënë që ky është draft i joni. Ne nuk dërgojmë artikuj gazetash as opinione, as drafte të cilat nuk kanë autorësi e as pronësi në Gjykatën Kushtetuese, por dialogu është pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, tha Bislimi.

Po ashtu, sipas tij, pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës, po pengojnë që vendi të marrë statusin kandidat të BE-së, ani pse tha se Kosova ka një përparësi në krahasim me shtetet e tjera që e kanë marrë statusin e vendit kandidat, pasi vendi që nga viti 2016 është duke e zbatuar MSA-në/ATV/