Borrell me kushte për Kurtin rreth rundit të ri të dialogut

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se një rund i ri i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën, transmeton Radio Evropa e Lirë. Borrell i është përgjigjur kështu letrës […]

Borrell me kushte për Kurtin rreth rundit të ri të dialogut

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se një rund i ri i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Borrell i është përgjigjur kështu letrës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dërgoi atij ditë më parë, duke ia prezantuar planin e tij prej pesë pikash, që sipas kryeministrit kosovar do të ndihmojë në uljen e tensioneve në veri të vendit.

“Siç e dini, unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, me parakushtin që ju të jeni i gatshëm të ndërmerrni fillimisht hapat për shtensionim dhe të hapni rrugë për zgjedhjet e reja. Nuk mund të kemi përparim në normalizimin e raporteve, përderisa ne merremi me menaxhimin e krizave. Të 27 shtetet e BE-së, por edhe SHBA-ja, kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam të shohim që ky proces lëviz përpara. Prandaj, shtensionimi i situatës kërkohet të ndodhë menjëherë. Nëse jeni i gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm, një takim i ri mund të organizohet shpejt”, tha Borrell në letrën që i dërgoi Kurtit.

Zyrtari evropian ka kërkuar që kryetarët e rinj shqiptarë në komunat në veri të mos punojnë nga zyrat në objektet komunale, tërheqjen e policisë nga afërsia e këtyre ndërtesave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

“Paralelisht, ne po i kërkojmë Serbisë që të mbështesë tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona”, shkroi Borrell.

Kurti më 13 qershor njoftoi se i ka dërguar Borrellit planin prej pesë pikash për shtensionimin e situatës në veri.

Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë. Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave

Ai këtë plan e ka diskutuar edhe me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it (SHBA, Britani e Madhe, Itali, Francë dhe Gjermani).